E Diel, 1 Nëntor 2026

Lorik Cana dominon anketën "lojtari më i mirë"

Në Francë e thërrisnin me nofkën "shkatërruesi" prej lojës së fortë dhe ndërhyrjeve deri në kufijtë e rregullave, ndërsa në Angli, Lorik Cana duket se ka gjetur "tokën e premtuar". 26-vjeçari është përshtatur më së miri me futbollin fizik në Premierligë, madje me duelet e tij në mesin e fushës ka entuziazmuar mbështetësit e Sandërlendit. Tashmë mesfushori kuqezi thërritet "kapiteni fantastik" dhe dominon anketën e organizuar nga faqja zyrtare e klubit (safc.com) për lojtarin më të mirë në ndeshjet e kampionatit. Cana mori 32.6 për qind të votave, duke marrë më shumë vota pas paraqitjes së mirë në fitoren 4:1, që skuadra e tij arriti me Hull Sitin. Pas shqiptarit vinin Andi Ried (30.4 për qind), i cili ndodhej në krye gjatë ditëve të para të sondazhit dhe Daren Bent, që me gjithë dy golat e shënuar mori vetëm 15.9 për qind të votave. Kjo është hera e dytë radhazi dhe e katërta në gjashtë javët e para të Premierligës, që Cana merr në shtëpi çmimin "Lojtari i Ndeshjes". Më parë këtë vlerësim kuqeziu e kishte marrë pas sfidave me Çelsin, Bllekbërnin dhe Stok Sitin. Ndërkohë, duke folur për "BBC", kapiteni i Sandërlendit pohoi se duhet ta ndryshojë disi stilin e lojës, në mënyrë që të evitojë kartonët. Ai tha: "Duhet të ndryshoj pak gjëra në lojën time, kam besim se mund t‘ia arrij".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›