E Diel, 1 Nëntor 2026

UFA merr të drejtën televizive pa Tiranën

Tashmë është zyrtare: UFA Sports merr të drejtën televizive të kampionatit shqiptar të futbollit, por Tirana braktisi marrëveshjen në momentin e fundit.

Pas shumë debatesh në javët e fundit, më në fund pjesa më e madhe e klubeve të Kategorisë së Superligës (Vllaznia, Teuta, Shkumbini, Flamurtari, Besa, Apolonia, Skënderbeu, Laçi, Gramozi e Kastrioti) kanë arritur marrëveshjen për shitjen e të drejtës televizive kompanisë gjermane UFA, e cila duke filluar nga java e ardhshme do të menaxhojë transmetimin e ndeshjeve të kampionatit elitar të futbollit. Drejtuesit e të dhjetë klubeve kanë firmosur marrëveshjen me kompaninë UFA dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, që do të luajë edhe rolin e ndërmjetëses. Vetëm pak kohë më parë ishte paralajmëruar se në parim kishte rënë dakord edhe klubi kampion në fuqi i Shqipërisë, Tirana. Por vetëm dje, në momentin e nënshkrimit është vënë re mungesa e përfaqësuesve të bardhebluve. Një gjë e tillë ka ndodhur për shkak se presidenti i klubit më të titulluar në vend, Refik Halili, kishte vendosur të mos e hedhë firmën në kontratë, pasi pretendon për disa ndryshime, ku të përfshihen edhe disa kushte të tyre. I kontaktuar në telefon presidenti i bardhebluve, Refik Halili, ka deklaruar se nuk ka qenë asnjë nga përfaqësuesit e klubit në këtë marrëveshje. Sipas zotit Halili, "pas takimit të gjatë ditën e djeshme me sekretarin e federatës është konsultuar me juristët e tij, të cilët i kanë rekomanduar që të mos ta firmoste kontratën me kushtet aktuale". Numri një i bardhebluve nuk preferon të bëjë të ditur detaje në lidhje me ankesat e tij, por thekson se "sot do të ketë një takim të fundit në FSHF dhe nëse nuk do të pranohen kushtet tona, nuk do ta firmosim kontratën".

Gjithsesi, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës, është shprehur se kjo marrëveshje, e para e këtij lloji për klubet shqiptare të futbollit, do të ndihmojë në rritjen e buxhetit të tyre, si edhe të cilësisë së kampionatit. "Sot ne shohim një dritë jeshile, ku pas përpjekjeve të mëdha të federatës, të klubeve të futbollit, arrijmë një akord. Më shumë me vullnetin e klubeve shohim një dritë jeshile për të bashkuar të drejtat tona. Të jeni të bindur se ky projekt do t‘i shërbejë shumë zhvillimit të lojës, do t‘i shtojë akoma më tepër të ardhurat e klubeve tona", deklaroi Armand Duka, president i FSHF-së. Përfaqësuesit UFA sport u shprehën të kënaqur nga marrëveshja dhe saktësuan se "e drejta televizive do të jetë e ndarë në dy paketa: njëra për transmetim të drejtpërdrejtë të ndeshjeve dhe tjetra për golat. Pas 24 orësh (sot) do të mbahet tenderi. Ka pasur interes edhe nga televizione të huaja, si për shembull nga Greqia". Klubet që nënshkruan shprehën kënaqësinë e tyre dhe e konsideruan atë si një marrëveshje historike. Si fillim nga shitja e kësaj të drejte televizive klubeve që kanë firmosur kontratën do t‘iu shpërndahen 600 mijë euro, në bazë të renditjes së sezonit të fundit. Kështu, Tirana (nëse do të nënshkruajë sot), do të përfitojë 82 mijë euro, duke vijuar më pas me klubet e tjera sipas klasifikimit të fundit: Vllaznia 70, Dinamo 62 (por ka refuzuar), Teuta 60, Shkumbini 50, Flamurtari 65, Besa 50, Apolonia 50, Skënderbeu 27.5, Laçi 27.5, Gramozi 27.5 dhe Kastrioti 27.5.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›