E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani: Në Kombëtare shënoj, sepse skuadra luan për mua

Erjon Bogdani e ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin e ri. Tri gola radhazi me Kombëtaren e kanë shndërruar 32-vjeçarin në një element shumë të rëndësishëm për skuadrën e Josip Kuzhe. Po kaq i madh është kontributi i sulmuesit edhe te Kievo në Serinë A, pavarësisht se ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës. Me gjithë dyshimet e verës, "Er-Bomber" është titullar absolut dhe ka fituar besimin e trajnerit të veronezëve Di Karlo.

Erjon, si mund ta përshkruani paraqitjen e Kievos në këtë sezon të ri?

Gjatë fundjavës që kaloi fituam me meritë në fushën e Bolonjës. Gjithsesi, na mungojnë ende disa pikë në klasifikim. Përballë Juventusit dhe Lacios u paraqitëm mirë, por nuk arritëm të merrnim rezultat pozitiv.

Në Bolonjë, kur u zëvendësuat gjatë pjesës së dytë, dolët nga fusha duke tundur kokën. Përse?

Sepse isha i lodhur për vdekje, nuk po arrija të qëndroja më në këmbë. Në mesjavë kisha luajtur me Kombëtaren kundër Danimarkës. Barazuam 1:1 falë golit tim dhe gjatë mbrëmjes festuam. U ktheva shumë i lodhur në Verona dhe nuk mendoja se do të luaja, duke besuar se ndoshta trajneri do të më linte në stol. Megjithatë…

Megjithatë luajtët, duke qenë protagonist në të dy golat e fitores së Kievos…

Në përfaqësuese të gjithë luajnë për mua. Kjo është arsyeja përse arrij të gjej me vazhdimësi rrugën e rrjetës. Te Kievo situata ndryshon: shpeshherë jam unë ai që luan për skuadrën. Hap korridore, bëj rolin e "pykës", mbroj topin në mesfushë, në mënyrë që skuadra të dalë nga zona. Por, e rëndësishme është të marrim rezultate të mira.

Si e parashikoni sfidën kundër Xhenoas?

Ata kanë një skuadër shumë të mirë. Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur. I ftoj të gjithë tifozët që të jenë në stadium, pasi spektakli është i garantuar.

A ju favorizon fakti që kundërshtarët luajtën në Europa League?

Ndeshjet e mesjavës janë gjithmonë problematike për skuadrat. Shpresojmë që të jenë disi të lodhur, gjithsesi ata janë një ekip i fortë.

Në sulm preferoni të luani me Pelisier apo me Granoken?

Granoke luan njësoj si unë, ndërsa Pelisier është mjaft i zoti kur gjen pak hapësirë: arrin të shkojë drejt zonës kundërshtare me një shpejtësi të pabesueshme. Megjithatë, unë nuk kam ndonjë preferencë të veçantë.

Kur mendoni se do ta festoni golin e parë në kampionat?

Shpresoj të shënoj që prej sfidës së radhës me Xhenoan. Zakonisht nuk e mbaj mendjen aty. Objektivi kryesor është që së bashku me Kievon të mbijetojmë sërish në Serinë A. Ndihem shumë mirë fizikisht dhe kjo është një pikënisje e mirë. Jam i qetë, pasi e kam të qartë që goli nuk do të më mungojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›