Salihi, vjen goli i 4-t, Haxhetepe e shkodranëve fundos Fenerbahçen
Hamdi Salihi ka shkëlqyer dje në ndeshjen kundër SV Pashingut, teksa ka shënuar golin e katërt sezonal në ndeshjen e vlefshme për turin e dytë të Kupës së Austrisë. Koha e rregullt mbaroi me rezultatin 1-1 dhe golin e Riedit e shënoi Salihi në minutën e 60-të, duke barazuar shifrat, pas golit që kishin shënuar vendasit që në minutën e 11-të. Bomberi shkodran ndihmoi Riedin të kualifikohej, ndonëse ekipi i tij siguroi kalimin e turit pas gjuajtjes së penalltive (4-2). Salihi ka gabuar në gjuajtjen e penalltisë, por kjo nuk e ka penalizuar skuadrën e tij. Sulmuesi shkodran ka luajtur si titullar në këtë ndeshje dhe ka bërë një paraqitje mjaft të mirë. Salihi luajti në të dyja ndeshjet që zhvilloi kombëtarja disa ditë më parë, teksa u aktivizua si titullar ndaj Suedisë, ndërsa kundër Maltës luajti vetëm në 20 minutat e fundit. Ndërkaq treshja shkodrane Teli, Lika e Sukaj kanë mposhtur dje Fenerbahçen e drejtuar nga ish-trajneri i Spanjës, Luis Aragones. Haxhetepe, ku luajnë tre shqiptarët, ka fituar me rezultatin 2-1 dhe për këtë sukses kanë dhënë një kontribut të madh edhe tre futbollistët shqiptarë. Mesfushori Gilman Lika dhe mbrojtësi Admir Teli kanë luajtur si titullarë, ndërsa Sukaj është aktivizuar në minutën e 83-të të takimit. Ky i fundit ka pasur mundësinë të shënonte në minutën e 93-të, por topi është përplasur në shtyllë. Ndërkaq Gilman Lika është ndëshkuar me karton të verdhë në këtë sfidë.