Incesti trondit përsëri Poloninë
Polonia është tronditur përsëri nga rastet e incestit. Një gjykatë në Poloninë veriperëndimore urdhëroi mbajtjen në arrest të një burri, derisa autoritetet të hetojnë mbi akuzat për incestin e tij me të bijën për gati një dekadë, duke i dhënë asaj pesë fëmijë. Rasti ka tërhequr menjëherë vëmendjen e mediave, pasi u shfaq vetëm pak ditë pas denoncimit të një tjetër incesti. Të hënën në Poloni u arrestua një 45-vjeçar në qytetin lindor, Siedlce, pasi e bija e kishte denoncuar atë mbi përdhunime të shpeshta për gjashtë vite me radhë (vajza tani është 21 vjeçe), duke i dhënë edhe dy fëmijë, djem, të cilët i detyronte t’i jepte në adoptim pas lindjes. Në rastin e arrestimit të dytë, zëdhënësja e prokurorisë së Szczecin, Malgorzata Vojciechovicz, tha se “prokuroria ka vlerësuar se babai dhe vajza kanë pasur marrëdhënie seksuale për rreth nëntë vjet”. Por autoritetet vendosën të mos japin detaje të hollësishme të ngjarjes deri në qartësimin e akuzave. Ata nuk treguan as emrin dhe as moshën e të arrestuarit, por as bijës së tij. Gjykata vendosi që burri të qëndrojë i mbyllur tre muaj në paraburgim, duke i lënë kohë hetimeve dhe vajzës së tij i është ndaluar të largohet nga Polonia. Nëse incesti arrihet të provohet, secili prej tyre përballet me deri në pesë vite burgim. Për raste të tilla incesti, të cilat kanë bërë jehonë në media, “rekordin” e mban Austria, ku është shënuar rasti më i tmerrshëm i pasqyruar ndonjëherë. 72-vjeçari Josef Fritz u akuzua se për mbi 20 vjet ka mbajtur të mbyllur të bijën, Elisabeth, duke e përdhunuar rregullisht dhe duke i dhënë 7 fëmijë, njërin prej të cilëve e ka djegur pasi vdiq që pas lindjes.