E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihu kërkon punë nga Haziri

Ministri i Sportit, Lutfi Haziri, të enjten në kabinetin e tij e ka pritur boksierin e famshëm kosovar, Aziz Salihun. Por, ky i fundit nuk është ndarë i kënaqur nga ky takim, pasi ministri Haziri nuk i kishte ofruar një vend pune në Departamentin e Sportit të kësaj ministrie.

Salihu thotë se do të ishte interes i dyanshëm sikurse ai të punësohej në këtë ministri. Salihu thotë se ka nevojë për të punuar, derisa pohon se do t’i ndihmonte shumë kësaj ministrie në aplikimin e planit të saj për ndërkombëtarizimin e sportit kosovar.

“Ministri më priti shumë mirë, madje më së miri në dallim prej ministrave të kaluar dhe e falënderoj për këtë. Por, ai nuk më ofroi vend pune siç prisja, por më tha se shpejt do të bëhet ligji për sportistë”, tha Salihu.

“Unë kam nevojë për të punuar se askush nga familja ime nuk punon. Vendi më i mirë për të punuar unë do të ishte Ministria e Sportit, sepse do të përfitonte edhe Ministria nga unë. Njoh shumë njerëz nëpër botë, sepse dihet çfarë sportisti i madh ka qenë Aziz Salihu. Unë do t’i shfrytëzoja ato lidhje të mia për ta ndërkombëtarizuar sportin kosovar”, shtoi Salihu, duke shpresuar se ministri Haziri brenda pak ditëve do ta ftojë atë që ta angazhojë për të lobuar rreth ndërkombëtarizimit të sportit kosovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›