E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salloni i librit italo-shqiptar, në Tiranë

Është çelur dje në Tiranë salloni i librit italo-shqiptar, i cili në fakt ishte parashikuar të hapej qysh në datën 22 prill, në kuadër të Ditës Botërore të Librit, por që u shty për shkak të problemeve të resë vullkanike, (për pasojë të mungesës së fluturimeve). Në këtë

aktivitet përfshihet hapja e një panairi të vogël libri, i cili është vendosur përballë Galerisë së Arteve, si dhe më këtë rast kanë ardhur në vendin tonë një grup autorësh italianë, si edhe disa autorë shqiptarë që jetojnë e krijojnë në Itali. Kjo veprimtari vjen në Shqipëri falë një bashkëpunimi mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Ambasadës Italiane në Tiranë dhe Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, gjithashtu edhe me mbështetjen e Salone del Libro di Torino,  si edhe Fakultetit të Historisë e Filologjisë - Departamenti i Letërsisë. Të pranishëm në çeljen e këtij eventi kanë qenë personalitete të ndryshme të fushës e më gjerë ndër të cilët Saba D`Elia, Ambasador i Italisë në Tiranë ka theksuar rëndësinë e këtij aktiviteti dhe se në kuadër të stinës së eventeve Itali-Shqipëri; dy popuj, një det, një miqësi sot do të ketë një takim mes shkrimtarëve italianë me ata shqiptarë. Ndërkohë në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm edhe Gëzim Tafa, botues OMBRA GVG, i cili theksoi se: Është një fillim pozitiv, për të menduar që edhe letërsia shqipe do të integrohet në letërsinë italiane, ku edhe ka shumë shqiptarë si dhe një komunitet të hershëm arbëreshësh. Nuk ka më kufij, nuk ka më barriera, pasi janë krijuar këto ura shpirtërore dhe kulturore. Është pjesë e asaj kulture të munguar.

Last Updated on E Enjte, 20 Maj 2010 19:49

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›