Salman Rushdie shkruan dramë televizive
Shkrimtari Salman Rushdie së shpejti do të mund t’ia shtojë biografisë së tij krijuese edhe një profesion, atë të skenaristit. Autori i romaneve ‘Vargjet satanike’ dhe ‘Fëmijët e mesnatës’ është duke e bërë skenarin e një serie të re dramatike për rrjetin amerikan Showtime, shtëpi e programeve të njohura Dexter, Nurse Jackie dhe The Big C.
Rushdie, i cili që disa vite është duke jetuar në New York, është thirrur nga rrjeti kabllor për të shkruar një dramë ambicioze rreth shoqërisë bashkëkohore amerikane.
“Next People” është e vendosur për të eksploruar Shtetet e Bashkuara në një kohë të ndryshimit të shpejtë, duke u marrë me politikë, seks, religjion, shkencë dhe teknologji, me shkrimtarin Rushdie, i cili do ta shkruajë skenarin e parë, ndërsa prodhimin ekzekutiv të serive do ta bëjë kompania prodhuese Working Title TV me seli në Britani të Madhe.
Kjo dramë do të jetë lëvizja e parë në një vepër televizive e shkrimtarit Salman Rushdie, i cili ka një karrierë të bujshme letrare, duke e fituar çmimin Booker me romanin ‘Fëmijët e mesnatës’, para se të detyrohej të fshihej për rreth një dekadë kur romani i tij ‘Vargjet satanike’ tërhoqi një fatwa nga lideri iranian Ayatollah Khomenei në vitin 1989.
Rushdie gjithashtu aktualisht është duke punuar në një libër me kujtime nga kjo periudhë e turbullt, që është paraparë të botohet vitin e ardhshëm.