Salve Caesar!
Gazeta Përlindja e Shqipëniës prej dhjetorit 1913 deri në pranverë 1914, përshëndeste ardhjen e princ Vidit si mbret i Shqipërisë. Se çgëzim i madh ishte kjo ditë për shqiptarët, gazeta e shpreh në shumë artikuj. Njëri mban titullin Salve Caesar! Përzierje e gjuhëve për shprehjen latine Ave, Caesar, morituri te salutant! – Tungjatjeta o Çezar! Ata që po shkojnë drejt vdekjes, të përshëndesin. Është thirrja e gladiatorëve romakë për perandorin para se të përleshen në Arenë.
Një komb që i dorëzonte veten në duar një princi të huaj pasi ky të ishte menduar gjatë për një përgjigje zyrtare për poltisjen e kurorës së Shqipërisë dhe fronit mbretëror.
Vërtet gëzonte mbreti këtë besim në popull? Apo ishte propaganda e shtypit që e paraqiste besimin e tij me kësi ngjyrash? Po media e huaj si reagonte? Therëse janë karikaturat e shtypit anglez, italian, austriak. Ato paraqesin distancën ndërmjet qytetërimit që përfaqësonte Wilhelm Wied (1876-1945) dhe qytetërimit që gjeti në një vend i saponjohur shtet në Ballkan.
Stacioni imagjinar më interesant i mbretërisë gjashtëmujore duhet të jetë ai i propagandës. Ekspozita Trashëgimia e një princi dhe libri-album Princi i Shqiptarëve, Toena, Tiranë 2011, me autor Artan Lamen që u prezantuan mbrëmë në Muzeun Historik Kombëtar, e paraqet pa e vënë në dukje këtë këndvështrim ndaj figurës së Princ Vidit dhe kohës, kur ndodh përpjekja e parë serioze që Shqipëria të jetë pjesë e Evropës moderne. Ky është opinion i Artan Lames, koleksionist i objekteve dhe dëshmive historike, autor i disa botimeve në këtë fushë dhe i Shqipni e harrueme, rubrika disavjeçare në periodikë të përjavshëm mbi trashëgiminë.
E për ta thënë të plotë mendimin e tij, përpjekja për bashkim nuk funksionoi, për njëmijë arsye, por mbi të gjitha për shkak të humnerës kolosale të krijuar ndër qindra vjet midis qytetërimit evropian ku po i fusnin shqiptarët dhe atij otoman prej nga po dilnin. Mënyra më e thjeshtë për ta kuptuar këtë gjë me sa më pak fjalë, është imazhi.
Albumi përmban 270 fotografi, skica, dokumente, kartolina e karikatura, midis të cilave rreth 80 botohen për here të parë. Janë shfrytëzuar Arkivi Qendror i Shtetit, Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit në Tiranë; Arkivi i Familjes Wied, Neuwied; koleksioni i Misionit Ushtarak Holandez (publikuar nga Robert Elsie); koleksioni i Artan Lames, koleksioni i Fuli Kalivopullit dhe Nikolla Xharos të dy nga Tirana.
Në periudhën shkurt-prill 1914, karikatura nga gazetat gjermane, angleze, italiane, austriake pasqyrojnë situatën gjatë përzgjedhjes së princit, mbërritjes së tij dhe ngjarjeve në vend dhe venë në dukje kontrastin e fortë midis pritshmërisë së Fuqive dhe situatës anakronike dhe kaotike të Shqipërisë. Nga disa karikatura të ekspozitës po veçojmë dy. Njëra paraqet mbërritjen e Princ Vidit në mesin e një grupi këmbëzbathurish e gjysmë të veshur si indigjenë. Princi përshëndet: Hello! Is this Raggamuffin ball? Një perceptim krejt i kundërt me shtypin shqiptar që përshëndeste Vidin perandor.
Një tjetër karikaturë tregon parlamentin shqiptar, një kasolle. Në prag janë varur rrecka në diell dhe një malësor me armë bën roje. Ai vështron rreptë korrespondentin e Times-it që kërkon me përulësi lejen për të hyrë në parlament.
Në fillim të vitit 1914 kartolina propagande e paraqesin princin si vazhdues të veprës së Skënderbeut. Nga Koleksioni Lame ekspozohet një kartolinë me dy profilet përballë njëri-tjetrit, Skënderbeu – Vilhelmi I.
Një poster 21×28 cm e paraqet princin, i veshur me uniformën prusiane, tek qëndron me respekt para varrit imagjinar të Skënderbeut. Në fjongon e kurorës shkruhet: Prehi o eshtrat e shenta.
Besnikëria e parakohshme ndaj mbretit ishte shprehuar tanimë në fjalët e himnit të Principatës së Shqipërisë: Mbretin ta nderojmë/ e të vdesim të gëzuar… O burra sduhet kursyer.
Përshëndetjet për princin dhe princeshën Sofi me sloganet Rroftë Shqipëria! vijnë përmes fotosh nga Shijaku, Kavaja, Gjirokastra. Dhe faza e fundit e propagandës e kësaj historie vjen pas caktimit të princ Vidit në fronin e Shqipërisë. U printuan një seri kartolinash me portretin e tij dhe të familjes për tu bërë të njohur vendasve sovranin e ardhur nga larg. Lame e quan këtë kategori kartolinash e modës në atë kohë, të vetmen mënyrë informacioni dhe njëkohësisht edhe propagande në favor të princit. Madje për një pjesë të këtyre kartolinave u përdorën fotografi ekzistuese të princit ku ai paraqitet me uniformë ushtarake gjermane dhe në një moment të dytë kur u prodhuan uniformat e shtetit të ri shqiptar, u prodhuan edhe kartolinat e princit me këto uniforma. Në të gjitha kartolinat princi nuk paraqitet asnjëherë civil për tiu lënë përshtypjen e sovranit nënshtetasve të tij shqiptarë.
Pjesë e propagandës është jeta e përditshme e familjes princërore qoftë në mjediset e Konakut të Durrësit, qoftë me daljet në qytet të Princeshës Sofia. Në një foto ajo mban përdore vajzën, Princeshën Mari Eleonora, ndërsa në karrocë është djali, princi Karl Viktor. Pas ardhjes në Shqipëri fëmijët u pagëzuan me emra shqiptarë, vajza Donika dhe djali Skënder. Fotografia mban këtë koment nga autori i albumit: Çifti princëror dilte vazhdimisht në rrugët e Durrësit për të krijuar sa më shumë kontakte me njerëzit. Sidoqoftë duhet thënë se për shkak të diferencave të theksuara kulturore këto dalje më shumë keqkuptoheshin. Për shqiptarët myslimanë ishte një shenjë paburrërie dhe turpi dalja në rrugë e zbuluar e Princeshës Sofia.
Lame ka zgjedhur për kopertinë të albumit një foto të Vidit tek rri natyrshëm dhe aspak zyrtar përbri një shqiptari me veshje malësori. Qëllimet e palëve ishin të mira, thotë në intervistë autori, por ishin dy kultura aliene që nuk mund të komunikonin.
Artan Lame: Kam 6 vjet që skedoj për Vidin
Sa kohë ju ka marrë libri-album?
Kam gjashtë vjet që skedoj për Vidin. Kam shfrytëzuar koleksionet private dhe Arkivin e Shtetit, që nuk ka ndonjë gjë të madhe, për të mos thënë që nuk ka fare. Ka mundësi që arkivi të jetë djegur kur u dogj konaku i Vidit. Gjërat e veta, personale i mori me vete, kurse gjërat e tjera, të rënda, një anije me plaçka – mendonte që do ti binin dhëmbët këtu – ia la amanet Esad Toptanit tia dërgonte. Dhe Esad Pasha mbushi gjashtë arka të mëdha me dru dhe ja dërgoi. Mund të na turpërojë më shumë një njeri se sa kaq? Pra arkivi praktikisht është asgjësuar. Në Gjermani princi Vid ka arkivat e veta që nuk janë hapur. Pastaj materiale, fotografi, gazeta, kartolina, ka pa fund.
Megjithatë në Shqipëri, njohja e figurës së Vidit me libra të përkthyer, ndodhi vetëm në vitet dymijë.
Faktorët janë dy. Në periudhën e para LDB, kjo shpjegohet me mospëlqimin e Zogut. Kongresi i Lushnjes njohu formën monarkike të shtetit. Në dhjetor 1924 kur Zogu erdhi në pushtet, bëri një arsyetim juridik shumë të hollë. Po ta shpallte veten mbret do ta qeshte bota. Ishte i ri nga Mati, i panjohur si figurë. Ndërkohë vazhdonte Vidi të ishte mbret. Atëherë shpallet Republika, dhe kjo e asgjësoi juridikisht pretendimin e Vidit, pavarësisht se ai e bëri një protestë formale.
Pas luftës e njëjta gjë, ishte e natyrshme të mos flitej për të. Nëse nuk u quajt imperialist dhe shërbëtor i Fuqive, në Fjalorin Enciklopedik të 86-ës, që është fjalori më i politizuar në gjithë globin tokësor, ku politizohen dhe bimët dhe malet, jepet një informacion mjaft indulgjent.
Ringjallja e periudhës më tepër se sa e figurës së Vidit që ndodhi pas
