E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush janë deputetët që votuan pro importimit të plehrave

Kuvendi i Shqipërisë ka zbardhur procesverbalin e votimit të ligjit që lejon importimin e plehrave në vendin tonë duke saktësuar se kush janë deputetët që kanë votuar pro. Në procesverbalin e Kuvendit shpjegohet edhe se kush ka votuar kundra dhe kush ka munguar në seancën e një jave më parë. Në total ky projektligj ka marrë 69 vota pro në një seancë ku kanë marrë pjesë 124 deputetë.

Bie në sy fakti që të gjitha deputetët e mazhorancës që kanë qenë të pranishëm në sallë kanë votuar pro projektligjit të plehrave, ndërsa deputetët e majtë kanë votuar kundër. Asnjë deputet nuk ka abstenuar. Por për këtë çështje është fajësuar edhe opozita, e cila qëndroi në sallë duke bërë të vlefshëm votimin. Që një seancë plenare e parlamentit të konsiderohet e vlefshme, në të duhet të jenë të pranishëm të paktën 50% plus një e deputetëve. E përkthyer në shifra nevojiten 71 deputetë. Në rast se mungon ky numër i etiketuar si kuorumi, atëherë seanca ndërpritet. Në momentin e votimit të ligjit të plehrave, në sallën e Parlamentit ishin të pranishëm 124 deputetë, nga të cilët 69 i përkisnin mazhorancës dhe 55 opozitës. Nëse grupi Parlamentar Socialist do të merrte vendimin të bllokonte ligjin, atëherë do të mjaftonte që të dilte nga salla në momentin e votimit dhe ligji rrëzohej.

Thelbi i këtij ligji është lejimi i importimit të mbetjeve për qëllime përpunimi. Drafti i parë i ligjit ka nisur të hartohet që në vitin 2009. Pas problemeve të shumta është vendosur që të mos hartohet një draft shqiptar, por të importohet dhe të përkthehet një draft i ngjashëm. Pas shumë ndryshimesh dhe përshtatjesh, drafti mori një formë pothuajse përfundimtare në shtator 2010. Ai u kthye në një projektligj nga qeveria dhe dërguar në parlament për diskutim. Pas kundërshtimeve të opozitës, mazhoranca e vonoi miratimin e tij. Edhe pse projektligji ka bosh vendin ku shënohet data e saktë, viti i shkruar është 2009.

Specialistët e mjedisit e kanë cilësuar këtë ligj si një vazhdim të atij të miratuar nga qeveria Nano në vitin 2003. Madje Nano nisi edhe një projekt konkret në vitin 2004, por kundërshtimi i shoqërisë civile dhe i kryeopozitarit të asaj kohe, Sali Berisha, bëri që marrëveshja të lihej pezull. Në opozitë Berisha e kundërshtoi ligjin e plehrave dhe premtoi që do ta anulonte, por kur erdhi në pusht nuk e përmendi asnjë herë të vetme deri në vitet 2009-2010, kur nisi hartimin e ligjit që rregullonte importin e plehrave nga vendet e tjera.

Importi i plehrave, kreu i Bashkisë Durrës kundër

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është shprehur dje kundër importit të plehrave në Shqipëri. Në takimin me disa organizata joqeveritare dhe qytetarë të Durrësit është folur gjerësisht për vendimin e Parlamentit mbi plehrat dhe në lidhje me TEC-in.

Unë jam kundër importit të plehrave në vendin tonë. Ka disa vende të botës ku plehrat përpunohen nga industri moderne tepër të zhvilluara dhe të kontrolluara. Në vendin tonë nuk kemi industri përpunimi të zhvilluar. Ajo që dua të theksoj gjithashtu është se përpara se të miratohen të tilla ligje duhet bërë një transparencë deri në detaje. Pa transparencë në këtë drejtim dhe pa industri të mirëfilltë për përpunimin e plehrave mendoj se nuk duhej pranuar importi i plehrave dhe siç e thashë unë jam kundër tha kreu i Bashkisë së Durrësit, prej portit të të cilit priten të vijnë ngarkesat e para me plehra për riciklim në Shqipëri pas miratimit të ligjit në Kuvend

Për probleme kaq të mëdha nismat qytetare duhet të jenë intensive, shtoi Doko gjatë bashkëbisedimit me përfaqësuesit e shoqatave qytetare.

Kryebashkiaku Dako është shprehur më parë edhe kundër TEC-it dhe e rikonfirmoi këtë qëndrim gjatë takimit të sotëm. Dako tha se Bashkia është kundër projekteve si ai i TEC ndërkohë që po punon në drejtim të projekteve turistike dhe mjedisore pasi pikërisht një turizëm i zhvilluar në një mjedis të pastër është prioriteti i Bashkisë së Durrësit, u shpreh Doko.

Më tej kryebashkiaku durrsak ka informuar se do të ketë dhe një ripërtëritje të mjedisit në Porto Romano, si dhe do të synohet gjelbërimi i zonës së Durrësit të Ri, Shkozetit dhe Spitallës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›