E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samaras: Për 6 vjet Greqia rikthehet në situatën para krizës

Kryeministri grek Antonis Samaras vlerëson se zhvillimi ekonomik i vendit ndodhet shumë pranë dhe se do të nevojiten 6 vjet që Greqia të rikthehet në situatën para krizës. 

Duke folur në një konferencë të organizuar nga gazeta "International Herald Tribune", në Athinë, Samaras vërejti se vendi ende nuk ka dalë nga tuneli, por se 14 muajt e fundit imazhi i Greqisë ka ndryshuar dhe janë realizuar reforma kolosale. 

Ai shprehu shpresën se në fund të vitit do të regjistrohet suficit primar dhe më pas iu referua gjerësisht trysnive nën të cilat është ndodhur demokracia duke theksuar se ekstremet përpiqen të përfitojnë nga dëshpërimi i njerëzve. 

“Sa ekstremizmi, edhe populizmi flasin “në emër të popullit”, vetëm për të shkatërruar interesin publik. Që të dy flasin “në emër të kombit”, vetëm që ta nënshtrojnë shoqërinë nën gjithë llojet e tiranive, që paraqiten si shpëtimtare”, theksoi Samaras. 

"Ka ndodhur kaq shumë herë në antikitet, në Athinë dhe në Romë, ka ndodhur kaq herë edhe në kohën tonë, në Francën e pasrevolucionit dhe në Gjermani me republikën e Vaimarit. Por fati i demokracisë nuk është që të bjerë “pashmangshmërisht” viktimë e populizmit dhe e ekstremizmit. Kemi shembujt e SHBA nën udhëheqjen e Franklyn Roosevelt-it, në vitet 1930, të Francës nën udhëheqjen e gjeneralit De Gaulle, në vitet 1950, të Greqisë moderne me Eleftherios Venizelos në fillimet e shekullit XX, dhe gjithashtu rë mikut të Valery Giscard d’Estaing, dhe Konstandinos Karamanlis në Greqinë e viteve 1970”, tha Samaras dhe vazhdoi: 

“Ka raste kur presioni nuk mund të përballohet, kur diskutimi publik shndërrohet në një polarizim kaotik. Kjo ndodh kur shpresa humbet prej shumicës. Në këto momente të vështira demokracia krijon armiqtë e saj që minojnë shtetin e të drejtës dhe unitetin”, tha kryeministri duke theksuar se, “që të luftohet populizmi, duhet të luftohet frika”. 
(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›