E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samir Ujkani, shumë pranë kalimit te Sampdoria

ITALI- Pas një sezoni shumë të keq me portierë, Sampdoria është në kërkim të një gardiani të sigurt dhe emri kryesor në listën e drejtuesve të saj është Samir Ujkani. Portieri i kombëtares shqiptare preferohet shumë nga drejtori sportiv Paskuale Sensibile, ndërkohë që trajneri Xhanluka Atzori pëlqen më shumë Puxhonin, që mbron portën e Rexhinës, për shkak se edhe e ka stërvitur. Megjithatë, klubi i Rexhio Kalabrias nuk duket i gatshëm ta shesë numrin 1 të tij. “Nuk kam marrë oferta zyrtare nga Sampdoria, por tani nuk është momenti të flasim për shitje apo blerje”, deklaroi presidenti Lilo Foti. Puxhoni është rritur në Xhenova, ku ka luajtur me të rinjtë e Sampit, por ai ka rinovuar kontratën një vit më parë. Kësisoj, emri kryesor në listën e drejtuesve të klubit xhenovez është ai i kosovarit Samir Ujkani. Sensibile e njeh mirë, për shkak se luan me Novarën, ndërkohë që mosha e re paraqet një plus të madh. Duke parë këtë, edhe Atzori është shprehur i kënaqur nëse arrihet akordi.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›