E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 % e tokës bujqësore jepet me qira

26/03/2010 Komisioni i Bujqësisë miraton në parim dhënien me qira të tokave të pakultivuara

Gjana: Prona e pakultivuar i mbetet fermerit që e ka përfituar sipas ligjeve në fuqi

Sipërfaqja e tokës bujqësore që nuk mbillet në Shqipëri nuk i kalon 10 % të sipërfaqes totale të tokës. Shifra është deklaruar nga kryetari i komisionit parlamentar për Veprimtarisë Prodhuese, ish-ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana. Sqarimin me qëllim rrëzimin e komenteve, sipas të cilave rreth 40 % e tokës në Shqipëri nuk mbillet, ai e argumentoi gjatë relatimit të projektit të Qeverisë, që parashikon dhënien me qira të tokave private të pakultivuara, subjekteve të interesuara. “Si media, ashtu edhe shumë politikanë i bëjnë komentet pa dalë nga zyrat dhe bulevardi i Tiranës. Thuhet se në Shqipëri nuk mbillet 40 %-50 % e tokës. Është absolutisht e pavërtetë. Sipërfaqja e tokës bujqësore që nuk mbillet në Shqipëri nuk i kalon 10 %”, tha ai. Gjana prezantoi një panoramë të gjendjes aktuale të tokës në vendin tonë. “Sipërfaqja e tokës bujqësore, e kadastruar si e tillë në fillim të viteve ’90, është 700 000 ha. Këtu përfshihen edhe tokat e reja që u hapën pas viteve ’60, shumica e tyre të papërshtatshme për efekt të pjerrtësisë, mundësive për vaditje, për t’u kultivuar. Kjo sipërfaqe, rreth 110 mijë ha, është lënë e pandarë, sepse fermerët nuk kanë pranuar t’i marrin, pasi kultivimi i tyre ka një ekstrakosto. Së dyti, janë 25 mijë ha tokë disponibël shtetërore, nga të cilat 17-18 mijë ha janë saktësuar dhe i kanë kaluar me vendim qeverie Agjencisë së Kthimit dhe kompensimit të pronave për t’u përdorur për proces të kthim kompensimit. Janë gjithashtu rreth 40 mijë ha të mbjella me ullishte; 20-30 mijë ha të mbjella me pemë frutore; disa dhjetëra-mijëra sip. bujqësore, të cilat janë zënë nga ndërtime pa leje apo ndërtime publike; 400 mijë ha që ne mbjellim”, sqaroi kreu i komisionit parlamentar. Lidhur me projektin “Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara”, Gjana siguroi se zbatimi i tij nuk prek tagrin e pronësisë mbi tokën. “Kjo pronë do të mbetet pronë e atij fermeri që e ka përfituar sipas ligjeve në fuqi. Ajo u jepet njësive vendore, komunave, disa bashkive që kanë edhe fshatrat në njësinë e tyre administrative që operojnë me këto sipërfaqe të pakultivuara, për t’i marrë dhe për t’i dhënë ato me qira për një, dy deri në 5 vjet. Duke qenë se shumë familje janë në emigrim, ky ligj u jep mundësinë komunave që ato toka t’ua japin në përdorim familjeve, fermerëve apo grupeve të interesit që duan ta marrin tokën dhe ta vënë në qarkullim ekonomik”, nënvizoi kryetari i komisionit. Projekti mori mbështetjen e deputetëve të pranishëm dhe pritet të diskutohet nen për nen javën e ardhshme.

Sipërfaqja e pakultivuar

Rreth 560 mijë ha ose 80 % e sipërfaqes së tokës bujqësore ka kaluar në pronësi private, ndërsa 138 mijë ha ose rreth 20 % e saj janë në pronësi shtetërore. Kanë marrë tokë në pronësi dhe përdorim rreth 460 mijë familje bujqësore, që përfaqësojnë rreth 60 % e popullsisë së vendit. Sipas të dhënave që disponon Ministria e Bujqësisë, vitet e fundit rezultojnë të pakultivuara rreth 50 mijë ha nga sipërfaqja në pronësi private.

Çmimi i qirasë

Çmimi minimal për dhënien me qira të tokës së pakultivuar të jetë 30 % më i ulët se vlera e qirasë vjetore të tokave bujqësore të përcaktuara në VKM 830 “Për kriteret e llogaritjes së vlerës vjetore të qirasë së tokave bujqësore, pyjore, me bimë pyjore, livadheve dhe kullotave, pasuri shtetërore”. Sipas kategorive të tokës, qiraja varion nga 30 mijë për të I-ën deri në 6 mijë për të VIII-IX-n. Tarifa e qirasë është në varësi të kulturës që mbillet në të.

Zbatimi i ligjit

Komisioni i evidentimit të tokave të pakultivuara kryen verifikimin e përdorimit dhe shfrytëzimit të tokës bujqësore nga pronarët dhe poseduesit e ligjshëm të saj për vitet 2008 dhe 2009. Verifikimi, evidentimi dhe dorëzimi i dokumentacionit tek kryetari i komunës dhe bashkisë bëhet brenda 2 muajve nga data e krijimit të komisionit, i cili krijohet nga kryetari i njësisë vendore brenda 2 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›