E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i BE-së, Fyle:Mbështesim integrimin e Ballkanit

SARAJEVE- Përfaqësuesit e Bashkimit Europian kanë dhënë sot në samitin e Sarajevës mbështetjen ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për perspektivën e tij europiane.

Komisionieri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Stefan Fyle rikonfirmon angazhimin e BE për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, Në konferencën për shtyp të organizuar sot në mesditë në Sarajevë, Fyle tha se gjykonte të rëndësishëm përparimin e vendeve të Ballkanit por nënvizoi se “duhet bërë më shumë për përafrimin drejt BE-së”
Duke u ndalur tek Shqipëria dhe procesi i liberalizimit Fyle tha se “KE i ka bërë të qarta detyrat që duhen kryer ende” . Ai sqaroi se nuk janë shtuar kritere të reja politike, por nënvizoi se situata politike nuk mund të jetë pengesë për qytetarët të vendit. I takon PE dhe KE që procesi në të cilën janë angazhuar liderët politikë të gjendet një zgjidhje dhe të ketë një rezultat”
Sa i përket Kosovës, Fyle kërkoi që Prishtina të mos lihet mënjanë procesit të integrimit europian. 

ORA 12. 37 SUEDIA  E ITALIA: BE TE GARANTOJE SE DYRET JANE TE HAPURA PER BALLKANIN
Suedia dhe Italia u kërkuan 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të konfirmojnë që dyert e bllokut janë të hapura për vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë mbledhjes BE-Ballkan që po zhvillohet sot në Sarajevë.
"Mbledhja e Sarajevës duhet të garantojë me forcë se dyert e BE-së janë të hapura për vendet e rajonit", i deklaroi shtypit ministri i Jashtëm suedez dhe ish-përfaqësues i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Carl Bildt.
"Ka disa vende anëtare të BE-së ku entuziazmi për zgjerimin është rritur kohët e fundit në më tepër se 100 për qind. Është e rëndësishme që kemi ardhur këtu për të konfirmuar dhe për të thënë se dera është e hapur", shtoi ai.
Shefi i diplomacisë italiane, Franko Fratini, e ftoi BE-në të manifestojë "bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë një angazhim shumë ambicioz" ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
"Pres që Evropa të mos ngurrojë në konfirmimin e angazhimit të saj", deklaroi Fratini, i cili parashikon të bëjë "një apel politik" për këtë qëllim drejtuar zyrtarëve evropianë. Nje konferencë për shtyp është parashikuar të zhvillohet në orën 13. 00 nga shefja e diplomacisë së BE, Ashton

ASHTON: E ARDHMJA E BALLKANIT, EUROPA
“Konferenca e sotme është destinuar për të dhënë një impuls të ri procesit të integrimit europian të Ballkanit Perëndimor”. Ka thënë për një gazetë boshnjake shefja e diplomacisë së BE, Catherine Ashton. Ajo ka konfirmuar- citon e përditshmja Glas Srpske se samiti është një mundësi e BE-së për të konfirmuar orientimin e saj drejt integrimit europrian të tërë rajonit ballkanik sipas traktatit të Lisbonës.

“Takimi jo vetëm që do të konfirmojë të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor por do të japë një impuls të ri për progres të mëtejshëm të vendeve drejt BE-së ka thënë Ashton, sipas së cilës “marrëdhënies mes vendeve të rajonit sot janë më të mira në krahasim me të shkuarën, dhe kjo konferencë mund të jetë një stimul më tej.
Edhe ministri i Jashtëm francez nënvizon rëndësinë e samitit për të ndihmuar vendet e ballkanit në rrugën drejt integrimit europian. Megjithatë Bernard Kushner thekson se në të njëjtën kohë samiti nënvizon se  vendet e rajonit duhet të vazhdojnë rrugën e plotësimit të reformave dhe të zgjidhin problemet e tyre bilaterale, duke nisur nga Serbia e Kosova, ka thënë Kushner në një intervistë për të përditshmen serbe, Vecernje Novosti

SARAJEVË, NIS SOT SAMITI I BE PËR BALLKANIN PERËNDIMOR
Catherine Ashton, përfaqësuesja e lartë për Çështjet e Jashtme dhe komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle marrin pjesë në këtë samit të rëndësishëm, ku pritet të konfirmohet angazhimi i Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta u nis dje drejt Sarajevës për të marrë pjesë në këtë takim të rëndësishëm. Kosova ka bërë të ditur se do të përfaqësohet si një shtet në këtë takim, edhe pse organizatorët, mes të cilëve presidenca spanjolle e BE-së, thanë se për këtë takim do të përdoret formula 'Gymnisch', që parashikon bisedime joformale. Para takimit të Sarajevës, shefja e diplomacisë e BE-së, Catherine Ashton tha se "integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen e kombeve evropiane mbetet një nga sfidat e fundit të ndërtimit të një Evrope demokratike dhe të bashkuar. "Në Sarajevë, Bashkimi Evropian do të riafirmojë përkatësinë e Ballkanit në Evropë dhe perspektivën e tij evropiane për rajonin", - shtoi ajo. Stefan Fyle, komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë Evropiane, deklaroi se konferenca u krijua për një konfirmim në kohën e duhur të perspektivës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vazhdimësinë e procesit të zgjerimit. Takimi i Sarajevës, i organizuar nga Presidenca Spanjolle me mbështetjen e Bashkimit Evropian, do të shënojë 10-vjetorin e Samitit të Zagrebit të 25 nëntorit 2000, ku u prezantua procesi i Stabilizim-Asociimit dhe perspektiva evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky proces u konfirmua në Samitin e Selanikut më 2003-in, ku u iniciuan gjithashtu edhe takime të nivelit të lartë.
Në Sarajevë, Bashkimi Evropian dhe vendet e rajonit, por edhe përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Turqia, OSBE, Këshilli i Evropës dhe NATO pritet të përshëndesin përparimin e dekadës së fundit që e solli Ballkanin e lodhur nga luftërat në rrugën e përparimit. Sfidat që mbeten për Ballkanin, janë vendosja e shtetit ligjor, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe liria e medias.

Shqipëria dhe Bosnja shkojnë në Takimin e Sarajevës pak ditë pas propozimit të Komisionit Europian për heqjen e vizave të udhëtimit për qytetarët e tyre në hapësiren Shengen.

Kurse Kosova ka ende rrugë për të bërë drejt integrimeve europiane, ndonëse konsiderohet si një hap pozitiv ftesa dhe pjesëmarrja ne tryezën e bisedimeve përkrah vendeve të rajonit.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›