E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i NATO, Rasmusen: Të vijojë angazhimi në Afganistan

ÇIKAGO- Hapet samiti i vendeve të NATO-s që do të dominohet nga situata në Afganistan, në një kohë ku presidenti francez, François Hollande ka njoftuar tërheqjen e parakohshme të trupave francezë në fund të vitit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmusen tha se, Aleanca duhet të vazhdojë angazhimin e saj ndaj luftës në Afganistan, megjithë zotimin e qeverisë së re franceze për të tërhequr trupat 2 vjet para afatit.

Zoti Rasmusen tha sot në takimin e NATO-s në Çikago se nuk do të kishte ngutje për t’u larguar nga Afganistani. Ai premtoi se koalicioni do t’i çojë deri në fund operacionet e tij deri në momentin kur t’i kalojë përgjegjësitë e sigurisë në duart e qeverisë afgane brenda vitit 2014.

Gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale amerikane, Obama do të jetë i rrethuar nga 50 drejtues të ardhur nga mbarë bota duke e bërë këtë samit më të rëndësishmin që prej krijimit të NATO-s, 60 vjet më parë, sipas Aleancës.

Të mbledhur në një qendër të madhe të kongreseve, drejtuesit do të diskutojnë për strategjinë e përfundimit të misionit që synon t'i hapë rrugën tërheqjes deri në fund të vitit 2014 të 130 000 ushtarëve të vendosur aktualisht në Afganistan.

Përveç Afganistanit, prioritet i këtij samiti do të jetë zyrtarizimi i fazës së parë të sistemit antiraketë të NATO-s, një projekt që synon të mbrojë Evropën nga hedhja e raketave nga Lindja e Mesme dhe kryesisht nga Irani.

Ky projekt ambicioz, i bazuar në teknologjinë amerikane, është kritikuar ashpër nga Rusia që e shikon si kërcënim për sigurinë e saj.
Rasmussen do të paraqesë 25 projekte bashkëpunimi në kuadër të një programi të quajtur "Mbrojtje Intiligjente'' ("Smart defence") ndërmarrë për reduktimin e shpenzimeve ushtarake, veçanërisht në Evropë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›