Berisha takon në samitin e NATO-s, Presidentin e SHBA-ve, Barack Obama

Shefi i ekzekutivit shqiptar, Sali Berisha bashkë me liderët e vendeve anëtare të Aleancës mori pjesë në punimet e takimeve dedikuar Afganistanit dhe zhvillimit dhe forcimit të kapaciteteve të Aleancës, që përbëjnë edhe temat kryesore të këtij samiti. Gjatë pritjes zyrtare, kryeministri Berisha zhvilloi takime me Sekretarin e Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen si dhe Presidentin e SHBA-ve, Barack Obama
Kryeministri Sali Berisha ndodhet në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në punimet e samitit të 25-të të NATO-s, i cili çeli punimet dje në nivel të kryetarëve të shteteve dhe qeverive. Kreu i qeverisë shqiptare ndoqi sesionin e hapjes së mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut, në ditën e parë të punimeve, të cilat do të hapen nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Gjatë këtij sesioni u përkujtuan ushtarakët e NATO-s dhe u mbajt një minutë heshtje për të rënë në krye të detyrës gjatë operacioneve të Aleancës.
Kryeministri Berisha, gjatё pritjes zyrtare të kryetarëve tё shteteve dhe qeverive, nё McCormick Place, nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, takoi Presidentin e SHBA-sё Barack Obama. Shqipëria është kontribuuese e operacioneve të NATO-s në Afganistan dhe Irak. Presidenti Obama ka shprehur vlerësimin e tij, për angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe garantimit të paqes në botë.
Në sesionet në vijim kryeministri Berisha bashkë me liderët e tjerë të vendeve anëtare të Aleancës do të marrë pjesë në punimet e takimeve dedikuar Afganistanit dhe zhvillimit dhe forcimit të kapaciteteve të Aleancës. Lidhur me problematikën në fjalë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, theksoi për CNN se është optimist se komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë të financojë forcat afgane të sigurisë. Anders Fog Rasmusen tha se mbështetja për forcat afgane është më pak e shtrenjtë sesa vendosja e trupave të NATO-s atje. Rasmusen theksoi se është në interes të komunitetit ndërkombëtar, si dhe përgjegjësi e tij, që forcat afgane të marrin përgjegjësinë e plotë për sigurinë pas vitit 2014, në mënyrë që të mos krijohen vendstrehime për terroristët.
Në sesionet e Samitit marrin pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso etj.
Ndërkaq, në përbërje të delegacionit shqiptar të kryesuar nga kreu i qeverisë, janë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.