Samiti i demokratëve Orban përdor Berishën për tiu kundërvënë BE-së

Berisha - Orban
Ndryshe nga se është përcjellë në mediat shqiptare, takimi i Berishës me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban në mediat e vendit të tij ishte një kundërvënie ndaj BE-së. Në një prizëm të tillë e ka parë gazeta Pester Lloyd. Kjo gazetë shkruan si për ironi, ky takim mes dy demokratësh të përsosur u përdor nga kryeministri për ti kthyer një përgjigje Barrosos, që kishte thënë se ata që e krahasojnë BE-në me Bashkimin Sovjetik nuk ia kanë idenë e demokracisë.
Të hënën Orban deklaroi se vendet e Europës Qendrore dinë më shumë për demokracinë për shkak se kanë jetuar në diktaturë. Për të ilustruar këtë ai mori si shembull mysafirin e tij, Berisha, regjimi i të cilit nuk është larg nga ajo që përshkruhet si një diktaturë, por shitet si demokraci.
Gazeta në artikullin e saj raporton se Orban duke u shprehur se Shqipëria plotëson të gjitha standardet demokratike për anëtarësim në BE synonte ti kundërvihej BE-së e cila kërkon plotësimin e disa kushteve nga Shqipëria për marrjen e statusit kandidat.
Por mashtrimet elektorale, plumbat mbi kandidatët, lufta mes bandave, djegia e fletëve të votimit, vrasja e protestuesve përmes njësive speciale të kryeministrit, bojkoti i parlamentit, korrupsioni në majat e larta dhe një menaxhim mafioz nuk janë standarde demokratike, që mund të ofrojë Shqipëria. Demokratët europianë tani mund të shpresojnë që gjykimi i Orban për standardet demokratike të ketë lidhje vetëm me injorancën e tij mbi atë që ndodh në Shqipëri, thuhet në këtë artikull. /F.S/