E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i ministrave te Finances se BE diskutime mbi krizen greke

 Kriza greke mbetet në qendër të ditës së dytë të takimit të ministrave të Financave të eurozonës në Bruksel. Për herë të parë ministrat e Financave kanë pranuar nevojën për diskutim në lidhje me ristrukturimin e borxhit grek. Athina është duke bërë përpjekje që të përmbushë objektivat e vendosur para pranimit të paketës së shpëtimit prej 110 miliardë eurosh, por për shtetet e eurozonës kjo nuk mjafton. 
Brukseli i ka kërkuar Greqisë të zhytur në borxhe të bëjë përpjekje më të mëdha për kursime dhe shitje të pasurisë shtetërore. Pas konsultimeve të ministrave të Financave të euro-grupit në Bruksel,  ministrja franceze Christine Lagarde tha se privatizimi është i vonuar, dhe kjo gjendje duhet të ndryshojë. 

Sipas kryeministrit të Luksemburgut, Jean-Claude Juncker një ristrukturim i lehtë i borxhit të Greqisë nuk përjashtohet. Kjo ka të bëjë sipas të dhënave të diplomatëve me afatet e gjata për kreditë dhe interesat e ulta. Në të njëjëtën kohë Juncker nuk përjashton as lëvrimin e një pakete të re ndihmash financiare. 

Në takimin e një dite më parë ministrat e Financave miratuan paketën e ndihmës financiare prej 78 miliardë eurosh për Portugalinë si dhe emëruan pasardhësin e  Jean-Claude Trichet në  postin e kreut të Bankës Qëndrore Europiane. Tashmë këtë post  do ta zerë kreu i Bankës italiane Mario Draghi. 

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›