E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti per krizen lideret e BE falin borxhin grek

Liderët e Bashkimit Europian nisin takimin më të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës së borxheve në eurozonë, nga i cili priten propozimet përfundimtare për tejkalimin e ngërcit ekonomik. Masat nuk do të miratohen deri para së mërkurës, mirëpo takimi i Brukselit kërkon të hapë rrugën dhe të zgjidhë mosmarrëveshjet përsa i takon mënyrës sesi do të dilet nga kriza e nisur nga Greqia dy vjet më parë dhe që rrezikon të përfshijë edhe vendet lokomotivë të BE-së si Franca.

Ministrat e Financave të BE-së në një takim të së shtunës ranë dakord për rritjen e kapitalit rezervë të bankave, kjo për shkak se ato do të heqin dorë nga një përqindje më e madhe, se sa ishte planifikuar deri më tani e shlyerjeve nga Athina. Praktikisht kjo do të thotë falje e pjesshme e borxheve greke.

Franca është shprehur në favor të shndërrimit të fondit të shëptimit në një bankë më vete, e cila të ketë akses në fondet e Bankës Qendrore Europiane. Gjermania e kundërshton këtë ide, duke pasur mbështetjen e Komisionit Europian që mendon se një gjë e tillë do të shkelte Traktatet e BE-së.

Kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti Sarkozi mbajtën një takim urgjent të shtunën në mbrëmje për të pasur një marrëveshje para samitit.

"Ne përgatitemi sot për vendimet e së mërkurës. Është e rëndësishme pasi bëhet fjaë për detaje teknike të një procesi të komplikuar. Kështu që na duhet të shqyrtojmë gjithcka, si psh si do të funksionojë fondi i shpëtimit. Nuk duhet të presim vendime sot, por vetëm të mërkurën”- tha Merkel.

Kryeministri grek, Jorgos Papandreu tha se tashmë nuk është më fjala vetëm për krizën greke, pasi Europa duhet të marrë vendime gjithpërfshirëse. Kryeministri Britanik, Dejvid Kamerun tha se edhe Britania nuk ka imunitet ndaj krizës. Nëse kriza e borxheve përfshin Italinë dhe Spanjën, atëherë nuk do të mjaftonte shuma aktuale e fondit të shpëtimit për t'i ndihmuar këto vende.

Presioni ndaj krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve evropiane për gjetjen më në fund të një zgjidhjeje të përgjithshme është shumë i madh.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›