E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezart Taçi, mediatikisht fajtor

Av.Fatmir Braka 

Askush nuk mund ta mohojë faktin e fuqisë dhe pushtetit të medias, qoftë asaj të shkruar apo televizive aq më tepër në një kohë si kjo e jona, ku teknologjia mediatike ka përparuar aq shumë, sa qoftë edhe jashtë vullnetit tonë, në çdo sekondë ndihemi të “bombarduar” me informacion. I gjithë ky informacion, sado indiferent qofshim ndaj tij, të imponohet, lë gjurmë në të përditshmen e secilit prej nesh, bëhet pjesë e saj duke na shoqëruar në çdo minutë. Forca reale e medias, qëndron pikërisht në mundësinë që ajo ka për të ndikuar në opinionin publik, për të shërbyer si shqisë e saj me anë të së cilës jo vetëm perceptohet fenomeni por edhe artikulohet opinioni i masës.
E gjithë sa më lart parashtrova për pushtetin e medias dhe për rolin e saj të padiskutueshëm në perceptimin e realitetit, apo krijimin e bindjes tek opinioni publik, është sa e vërtetë, po aq edhe e frikshme, po të mendosh se sa të rrezikshme mund të bëhen mediat nëse pushteti që ato kanë përdoret për qëllime që nuk i shërbejnë aspak shoqërisë.
Në një vend me kulturë demokratike, në thelb të organizimit të medias qëndron liria e shprehjes që në vetvete përbën një sërë të drejtash dhe detyrimesh, të cilat vendosin një ekuilibër mes të drejtës për të shprehur mendimet, për të dhënë ide ose informacione pa ndërhyrjen e autoriteteve dhe detyrimit të domosdoshëm, për të mbrojtur dhe respektuar dinjitetin ose të drejtat e të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale dhe veçanërisht për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e Pushtetit Gjyqësor.
Marr shkas nga incidenti i fundit me gazetarin Mero Baze, incident që i kaloi përmasat e lajmit, dhe që ashtu siç ndodh zakonisht në të tilla histori, u keqpërdor nga të gjithë ata që mund të nxirrnin një përfitim prej saj, duke filluar nga vetë mediat.
Ajo që më shqetëson në gjithë këtë histori, është standardi i dyfishtë që u përdor në trajtimin e fenomenit në disa nga televizionet apo gazetat në vend, që edhe pse trumbetojnë vlerat dhe rolin e medias dhe të lirisë së shprehjes në konsolidimin e demokracisë, janë të parat që abuzojnë me këtë liri. Për shumë nga mediat e shkruara apo edhe televizive, liria e shprehjes është e drejta për të thënë gjithçka, pavarësisht se sa e vërtetë, e moralshme apo e dobishme është ajo për shoqërinë.
Në këndvështrimin e Konventës Evropaine të të Drejtave të Njeriut, neni 10, “Liria e Shprehjes, nuk mund të jetë e pakufizueshme dhe për më tepër askush nuk mund që në emër të saj të cenojë dinjitetin, personalitetin e qytetarëve”, dhe për më tepër në mënyrë të shprehur Konventa parashikon, se me lirinë e shprehjes nuk mund që të cenohet autoriteti dhe paanshmëria e gjykatave.
E thënë më qartë, media nuk duhet që të ndikojë në vendimin e  Gjyqësorit, duke ushtruar presion ndaj këtij vendimi, nëpërmjet manipulimit të opinionit publik, detyrim, i cili për rastin e Rezart Taçit, jo vetëm që nuk u respektua nga mediat, por u shkel në mënyrën më flagrante të mundshme.
Dhjetëra artikuj u shkruan në gazeta dhe qindra minuta kohë televizive iu kushtuan pikërisht “fajësisë” së biznesmenit Rezart Taçi, aq sa në opinionin publik ekziston bindja e padiskutueshme, se biznesmeni është fajtor për dhunën e ushtruar ndaj Mero Bazes. Falë abuzimit me lirinë e shprehjes, mediat duke shkelur çdo detyrim që buron pikërisht nga kjo e drejtë bënë një gjyq mediatik, duke e deklaruar publikisht Rezart Taçin fajtor, edhe pse drejtësia ende nuk e kishte thënë fjalën e saj. Falë një angazhimi kaq të devotshëm mediatik, që gjoja synonte të mbronte lirinë e shprehjes, por që dukshëm kishte në prapaskenë një përplasje interesash nga më të ndryshmet dhe më të ulëtat, u dhunua e drejta, pasi u shkelën një sërë parimesh, që janë po aq të rëndësishme dhe aq të domosdoshme për demokracinë, sa ai i lirisë së shprehjes.
Në optikën e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por edhe në praktikën e Gjykatës së Strasburgut, është theksuar në disa raste domosdoshmëria e pavarësisë së gjyqtarëve, ndaj politikanëve apo Grupeve të Presionit, ku në grupet e presionit bëjnë pjesë padyshim edhe mediat. Asnjë gjykatë nuk duhet t’i lejojë vetes që të bëhet pre e influencave të jashtme, duke evituar çdo mundësi që krijon përshtypjen se çështja është e paragjykuar.
Nuk ka asnjë dyshim se publiciteti agresiv me të cilin u shoqërua rasti në fjalë, jo vetëm që ka rritur presionin ndaj Gjykatës, duke e shtyrë atë që të marrë një vendim që nuk i shkon aspak përshtat të drejtës, por në fakt vetëm sa ka kënaqur interesin e medias.
Rezart Taçit iu cenua e drejta për një proces të rregullt ligjor, dhe kjo për faktin se Gjykata, e gjendur përpara një presioni aq të fuqishëm mediatik dhe përpara një opinioni të manipuluar dhe deformuar të masës, nuk mund të ishte e lirë dhe e paanshme në vendimmarrjen e saj.
Çdo vendim i ndryshëm nga ai që kishte paracaktuar, media do t’a kishte etiketuar atë, si një gjykatë të korruptuar. Nuk ka asnjë dyshim se ka qenë pikërisht presioni i ushtruar nga media ndaj gjykatës, ai që ka çuar në marrjen e një mase sigurie kaq të rëndë, siç është ajo e “arrestit me burg”, ndërkohë që bëhet fjalë për një person të njohur publik dhe për një vepër penale me një rrezikshmëri shoqërore kaq të ulët, aq më tepër kur është ofruar një garanci pasurore prej 100 mijë eurosh, garanci që nuk ofrohet as për veprat penale me rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Në eksperiencën time disa dhjetëra vjeçare në Drejtësi, mund të them me bindjen e plotë se ky është një rast unik, që një masë sigurie e një karakteri kaq të rëndë merret për një vepër penale ndaj të cilës veç të tjerash parashikohet edhe dënimi me gjobë.
Po kështu, si pasojë e mosrespektimit të detyrimeve që Konventa Evropiane parashikon për median që të mos ndikojë në paanshmërinë dhe autoritetin e Gjykatës, Rezart Taçit iu cenua e drejta për t’u prezumuar i pafajshëm.
Nuk ka asnjë dyshim se për një njeri kaq të rëndësishëm në botën e biznesit, një fakt i tillë ka sjellë pasoja dhe dëme mjaft të mëdha financiare ekonomike, ndërkohë që për figurën dhe integritetin e tij publik një dëm moral të padiskutueshëm.
Në një shoqëri demokratike, ku ekziston respekti për të drejtën dhe institucionet, të gjithë, përfshi dhe mediat, duhet të heshtin ndërsa gjykata jep verdiktin.  
Duhet të heshtë, Presidenti i Republikës njëkohësisht edhe kryetar i KLD, duhet të heshtin diplomatët apo përfaqësuesit e vendeve të huaja, qoftë ky edhe Ambasadori i SHBA, të heshtin politikanët, të heshtim të gjithë dhe të presim verdiktin e gjykatës, sepse ky do të ishte i vetmi shërbim i dobishëm që do të mund t’i bënim drejtësisë dhe demokracisë sonë të brishtë.
Në demokraci mbizotëron respekti për qytetarin, dhe ai nuk shikohet si lajmi i radhës, por si një qenie që ka dinjitetin, integritetin dhe jetën e tij private. Liria e shprehjes ngrihet mbi detyrimin për t’i respektuar këto të drejta, në të kundërt ajo nuk do t’i shërbente demokracisë, por do të bëhej më e rrezikshme se çdo lloj tiranie, pasi ajo duke manipuluar të vërtetën përveçse manipulon opinionin publik, edukon tek ai mungesën e besimit tek Drejtësia dhe gjykata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›