E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Jam shumë optimist për ekonominë shqiptare

 

Çlirim peka

Interesi maksimali investitorëve të huaj, e bëjnë optimist Ministrin e Ekonomisë, për një rritje dyshifrore të ekonomisë shqiptare gjatë këtyre katër viteve. Në një intervistë, për emisionin “Fakt”, Dritan Prifti, tregon për zhvillimet e fundit, interesin e biznesit të huaj në fushën energjetike dhe rritjen e pritshme të çmimit të dritave.Ju si kreu i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si e shikoni stabilitetin dhe rritjen ekonomike në Shqipëri?
Shqipëria ka një ekonomi të stabilizuar, ka një ekonomi që rritet, pavarësisht debatit se sa është rritja ekonomike. Dikush thotë 3%, dikush 5%, e dikush thotë 6%. E rëndësishme është se Shqipëria është vendi që rritet më shpejt sot se çdo vend tjetër në Evropë. Edhe ata që janë më pesimistët për rritjen ekonomike në Shqipëri, pohojnë se rritja është minimalisht 3 %, edhe në mesin e një viti krize. Kemi një ekonomi të stabilizuar dhe ajo që për mua ka qenë një surprizë e këndshme në këto dy muaj që kam në Ministrinë e Ekonomisë, është interesi shumë i madh që kanë investitorët e huaj për të investuar në Shqipëri. Kjo realisht më jep shpresë, që jo vetëm ekonomia shqiptare do të vazhdojë të gjenerojë një rritje të qëndrueshme për vitet që vijnë, por që do të arrijë edhe një rritje dyshifrore gjatë këtij 4-vjeçari. Ka një interesim të jashtëzakonshëm nga investitorët e huaj për të investuar në Shqipëri, të cilët kërkojnë të ngrenë një biznes në vendin tonë nga e para, të ndërtojnë fabrika apo ndërmarrje të mëdha. Pothuajse, 50% të ditës sime e kaloj me takime me investitorë të huaj apo me korrespondencë me investitorë të huaj. Realisht, si një deputet opozitar në 4-vjeçarin e kaluar, nuk arrija të kisha këtë perceptim, që Shqipëria do të kishte kaq shumë interes nga investitorë të ndryshëm.
Zoti Prifti, ju po bëni një autokritikë për qëndrimet e mbajtura deri para datës 28 qershor?
Nuk është punë autokritike, por tani kam sigurisht më shumë mundësi për të pasur informacion të qartë apo më të saktë për atë çfarë ndodh.
Ju thatë se Shqipëria ka një ekonomi të stabilizuar, këto 2 muaj është stabilizuar ekonomia e Shqipërisë?
Nuk është se ne e kemi mohuar stabilitetin ekonomik të Shqipërisë, sepse këtë gjë ka të paktën 10 vjet që e certifikojnë të gjitha institucionet ndërkombëtare në vendin tonë. Fondi Monetar Ndërkombëtar, që ka qenë monitoruesi kryesor i zhvillimit të makroekonomisë shqiptare, të tregut në total në Shqipëri, të reformave strukturore që janë bërë, ka 10 vjet që e certifikon ekonominë shqiptare, si një ekonomi në rritje dhe me rritje të lartë madje, të paktën mbi 5% në këto 10 vitet e fundit. Por, edhe si një deputet i opozitës, unë nuk e kam mohuar ndonjëherë faktin që Shqipëria ka një ekonomi të stabilizuar dhe në rritje. Shqetësimi im në kohën e opozitës, ka qenë që përveç kësaj ekonomie që rritet, është një shtresë e caktuar e popullsisë në Shqipëri, që vazhdon të mbetet shumë e varfër dhe vazhdon të jetojë në mjerim. Shqetësimi im si deputet i opozitës ka qenë për pjesën më të varfër të shoqërisë shqiptare dhe nuk e kam mohuar asnjëherë faktin që ekonomia shqiptare është një ekonomi që rritet.
Edhe paraardhësi juaj është shprehur disa vite më parë se ka hasur me një interesim të jashtëzakonshëm të investitorëve të huaj për Shqipërinë. Por çfarë ka ndodhur me investimet e huaja, a mund të na e thoni?
E vërteta është se ka pasur investime. Unë mund t’u jap shifra nëse doni të vitit të fundit. Investimet e huaja direkte në Shqipëri gjatë vitit të fundit janë ngritur 59%, në krahasim me një vit më parë. Ndoshta mund të duken sikur nuk janë investime të mëdha, nuk janë kombinate gjigante apo vepra madhore, por janë diku 10 milionë euro, diku 20 milionë euro apo 100. Janë mbi 700 milionë euro investime të huaja direkte që janë hedhur vetëm gjatë vitit të fundit në Shqipëri, të certifikuara nga institucione ndërkombëtare dhe nga Banka e Shqipërisë. Janë statistika që prodhohen nga institucione që janë të certifikuara. Pra, investitorët e huaj janë duke investuar në Shqipëri dhe unë kam bindjen se vitin që vjen ose gjatë 2 viteve të ardhshme, ne do të kalojmë shifrën e 1 miliard eurove investime të huaja në vit në Shqipëri.
Kur keni qenë në opozitë, kohë kur Kryeministri Sali Berisha së bashku me Kryeministrin italian Silvio Berluskoni dhe disa biznesmenë të mëdhenj italianë, firmosën dy projekte të mëdha. Këto projekte ishin virtuale apo ka realisht gjasa që të vihen në zbatim?
Janë firmosur më shumë se 2 projekte. Në fakt kanë qenë projekt-ide, sepse nuk ka qenë një kontratë për fillimin e zbatimit të projekteve, por një marrëveshje mirëkuptimi për të mbështetur disa projekte italiane në Shqipëri.
A ka më shumë projekt-ide apo projekte zbatimi të firmosura me investitorë të huaj?
Të dyja bashkë. Ka edhe projekte të cilat janë në fazën e zbatimit. Mund t’iu jap si shembull Porto Romanon. Aty planifikohet të bëhet një park i madh energjetik. Do të ketë një ose dy termocentrale, një ose dy rafineri, do të ketë një rigazifikator, pra një vend ku do të vijë gazi i lëngshëm dhe do të kthehet në gaz natyral, që do të përdoret mbase për TEC-et ose edhe për tregtim në Shqipëri. Do të ketë depozita nafte dhe gazi rreth 200 mijë tonë. Aty mund të ketë edhe pjesë të tjera, por po flas për projektin e përgjithshëm. Kur ka qenë zoti Berluksoni me zotin Berisha kanë firmosur për qëllimin e një TEC në Porto Romano. Edhe për këtë TEC tashmë jemi shumë afër fillimit të negociatave për një kontratë koncesionare. Janë dy kompani të interesuara, që janë më të mëdhatë në Evropë. Njëra është gjermane RWE dhe tjetra është ENEL-i i Italisë. Të dyja këto kompani kanë dorëzuar aplikimin dhe specialistët tanë janë duke i vlerësuar me kujdes dhe besoj se në fillim të vitit të ardhshëm ne do të fillojmë negociatat me një nga këto kompani për ndërtimin e TEC-it dhe besoj se brenda vitit që vjen do të inaugurohet edhe fillimi i ndërtimit të kësaj vepre gjigante, që do të kërkojë të paktën 4 vjet për t’u përfunduar. Do të jetë një termocentral 800 MW, pra një termocentral shumë i madh jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë rajonin. Ndërkohë, do të negociohet që aty të ketë interes shumë të madh përfitimi Shqipëria dhe nëse prodhohet 800 MW, 400 prej këtyre duhet t’i përdorë edhe Shqipëria. Kaq është maksimumi që ne na duhet për të mos pasur më nevojë për import energjie apo për të mos pasur kriza energjetike. Do të negociojmë që 400 MW tonë ta marrim me kosto prodhimi, pra jo me çmim komercial, tregu. Pra ka pasur projekt-ide para disa kohësh, që tani janë në prag investimi. Kështu është edhe investimi i një firme tjetër italiane, për të cilën vetë Berluskoni u interesua kur ishte në Shqipëri. Kjo firmë ka një licencë për 500 MWt, ka një fermë me mullinj ere në Karaburun dhe kompania është shumë pranë fillimit të investimit. “Marseglia” është një tjetër kompani që është duke investuar në Lezhë dhe është gjithashtu shumë pranë fillimit të investimit. Sigurisht, që ka një proces, nga një ide që vjen e diskutohet për herë të parë me një Ministër Ekonomie dhe deri te ndërtimi i projektit e vënia në zbatim.
Ka pasur debate gjatë ditëve të fundit për çmimin e energjisë elektrike dhe akuza nga ana e PS-së, se rritja e çmimit është abuzive. Cila është përgjigjja juaj?
Unë di që z. Rama ka të paktën 3 javë që i kërkon stafit të vet që t’i gjejë ndonjë gjë në sektorin energjetik, që të dalë e të flasë në publik për të goditur ministrin Prifti dhe METE-n. Dhe stafi i vet pati shumë vështirësi për të gjetur 2-3 gjëra që z. Rama të dilte publikisht dhe të godiste punën e Ministrisë së Ekonomisë.
A qëndrojnë këto dy-tre gjëra?
Do të t’i shpjegoj një nga një. E para gjatë gjithë asaj konference z. Rama nuk i hoqi sytë për asnjë moment nga letra që kishte përpara, sepse nuk kupton asnjë gjë vetë nga sektori energjetik. Ka pasur nja pesë gjëra të shkruara, të cilat ai i recitoi, por në fakt i recitoi edhe ato gabim. Akuzon për monopol të importit të energjisë elektrike familjen kryeministrore andej e këtej. Zoti Rama mund ta dijë, por mbase edhe nuk e di, se sot qeveria shqiptare nuk blen më asnjë kv/orë energji elektrike, sepse këtë të drejtë e ka tashmë kompania çeke që ka blerë sistemin tonë të shpërndarjes, OSSH-në. Të gjithë importin e energjisë elektrike, sipas kontratës së privatizimit, e ka për detyrë ta blejë kompania çeke. Pra, as Berisha, as unë e as ndonjë tjetër nuk ka asnjë mundësi më të bëjë import energjie. Kompania “Cez” ka detyrim të blejë 2.5 miliard kwh, aq sa janë humbjet e sistemit tonë energjetik. Kështu që nuk ka të bëjë fare më qeveria me këtë çështje. Akuzoi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Është e vërtetë që vetëm në vitin 2009 nuk ka pas rritje të çmimit të energjisë elektrike nga ERE. Gjatë gjithë viteve të tjera të kaluara, çmimi i energjisë është rritur. Pra, në 1997 ka qenë një çmim prej 4 lekësh kwh dhe sot ka shkuar çmimi mesatar mbi se 8.2 lekë. Në rreth 12 vjet ka pasur një dyfishim të çmimit. Ka qenë absolutisht e duhur për t’u bërë kjo, sepse kompania KESH ka qenë në një gjendje financiare katastrofike. Nuk mbulonte dot as kostot e prodhimit dhe të transmetimit të energjisë elektrike. Rritja e çmimit ka qenë pjesë e një kontrate që ne kemi pasur me të gjithë donatorët që ndihmonin në rrjetin elektroenergjetik, për ta nxjerrë këtë kompani nga problemet financiar që ka pasur, pra nga falimentimi. Tregu rajonal ka pasur gjatë gjithë këtyre viteve një rritje edhe më të madhe, edhe më shumë se 100%, nga sa është rritur çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri gjatë 12 vjetëve. Siç e kuptoni ka qenë një lëvizje e detyruar. Edhe në negociatat e stabilizim-asociimit që ka bërë Shqipëria, ne në qoftë se nuk do të kishim rritur çmimin e energjisë elektrike në nivelet e tregut rajonal, në nivelet e mbulimit të kostove dhe nxjerrjes së kompanie nga telashet, mund të frenohej ky proces. Ata që flasin për këtë gjë, kam idenë se nuk e njohin procesin, nuk i dinë marrëveshjet. Çmimi i energjisë elektrike për një shtresë të caktuar të popullsisë shqiptare është i vështirë për t’u përballuar. Për këtë qeveria shqiptare është plotësisht e ndërgjegjshme. Janë një pjesë e mirë e familjeve shqiptare që nuk mund ta përballojnë dot rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Për këtë arsye për të gjitha rritjet e çmimit që ka kanë ndodhur në Shqipëri ka pasur një fond subvencioni për familjet e varfra, për t’i kompensuar këto familje në pagat, pensionet apo ndihmat ekonomike që marrin. Edhe këtë vit, nëse Enti Rregullator i Energjisë do të vendosë se duhet të ketë një rritje të çmimit të energjisë elektrike, buxheti i shtetit ka përcaktuar një fond për subvencionimin e familjeve në nevojë.
Pra nuk ka asnjë kompetencë qeveria në rritjen e çmimit?
Është totalisht kompetencë e ERE-s, që është një institucion që nuk varet nga qeveria, por nga parlamenti. Është një institucion që monitorohet nga shumë organizma ndërkombëtarë. Këta organizma ndërkombëtare janë duke parë edhe se si do të reagojë qeveria ndaj rritjes eventuale të çmimit të energjisë elektrike dhe sa të pavarura janë institucionet tona. Unë si ministër i linjës, po ju them që nuk kam pasur asnjë kërkesë nga Kryeministri për të lejuar apo për të mos lejuar një rritje të çmimit të energjisë dhe asnjë kërkesë për të ndërhyrë pranë ERE-s. Nuk ka ndodhur dhe nuk kam ndërmend të ndërhyj te pavarësia e ERE-s, edhe sepse kam besim të plotë te profesionalizmi që kanë komisionerët atje. Ata janë të gjithë të specializuar në vendet më të mira të botës për të bërë përllogaritjet e duhura dhe për të mbrojtur interesin e konsumatorëve. Ligji në fuqi është gjithashtu shumë transparent. ERE ka për detyrim ligjor të bëjë disa seanca dëgjimore publike me median, qeverinë, investitorë, konsumatorë,
Ju thatë se ERE është i pavarur, nuk varet nga asnjë institucion?
Është i pavarur nga qeveria, por është në varësi të parlamentit, sepse anëtarët e këtij institucioni emërohen nga parlamenti. Ka edhe komisionerë që punojnë atje, të cilët janë emëruar aty që në kohën e qeverisë së Partisë Socialiste, pra kanë një eksperiencë pune në këtë sektor të paktën 7-vjeçare. Ne nuk do të ndërhyjmë në pavarësinë e këtij institucioni. Gjithsesi, rritja e çmimit nuk varet nga qeveria, por edhe nëse do të ketë rritje ne kemi parashikuar në buxhetin e vitit 2010 një fond prej 2 miliardë lekësh, për të kompensuar rritjen e çmimit për familjet e varfra. Është një fond rezervë dhe nëse do të ketë nevojë do të përdoret për këtë arsye.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›