E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saninno: Dialogu PD-PS i rëndësishëm për përmbushjen e detyrave

30/03/2011  Nis seminari konsultativ dyditor BE-Shqipëri për 12 rekomandimet e KE-së

Bregu: Qeveria siguron një angazhim serioz për një ecuri pozitive të procesit të integrimit

Dialogu politik midis partive kryesore është parë nga BE-ja si një zhvillim i mirëpritur, një element kyç, konstruktiv për përmbushjen e të gjitha prioriteteve të Planit të Veprimit që institucionet shqiptare kanë përgatitur në vijim të 12 rekomandimeve të ardhura pas opinionit të KE-së. Konkluzioni është paraqitur gjatë seminarit konsultativ të organizuar nga KE dhe Ministria e Integrimit, lidhur me Planin e Veprimit, nga kryesuesi i palës evropiane në takim, zv/drejtor i Përgjithshëm pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjerimit në KE, Stefano Saninno. “Nëpërmjet diskutimeve të dy ditëve, do të arrijmë të kuptojmë qartësisht dhe të ndjekim së bashku punën teknike që nevojitet për të implementuar problemet kyçe që kemi identifikuar së bashku”, tha Sannino. Në këtë kontekst, ai nënvizoi se udhëtimi drejt integrimit evropian është kompleks dhe ka nevojë për mbështetjen e të gjithë vendit. “Vlen të theksohet se ky proces nuk është sipërmarrje e një pale politike, apo një segmenti të shoqërisë, por është një sipërmarrje e të gjithë vendit, të gjitha forcave politike dhe shoqërisë civile. Kjo sepse angazhimi që nevojitet është afatgjatë”, vijoi ai. Duke iu referuar zhvillimeve politike, zv/drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit vlerësoi dialogun politik midis partive kryesore, si një element kyç për përmbushjen e të gjitha prioriteteve. Ai vlerësoi gjithashtu progresin e bërë në disa fusha, që nga administratat publike, gjyqësori, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e pakicave dhe shumë gjëra që janë kryer nga Shqipëria gjatë viteve të fundit. Por, siç deklaroi Saninno, ajo që duhet të arrihet gjatë diskutimeve të këtyre dy ditëve është krijimi i një baze konsensuale të punës së përbashkët për muajt e ardhshëm. “Pasi përgjegjësia për këtë proces është jo vetëm e institucioneve të vendit, por edhe e KE-së, për të ndihmuar në identifikimin e elementeve që kanë rëndësi thelbësore për BE-në, që institucionet shqiptare kanë përgatitur në vijim të 12 rekomandimeve të ardhura pas opinionit të KE-së”, vijoi ai. Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, në fjalën e saj rikonfirmoi në emër të qeverisë angazhimin dhe përpjekjet serioze të Shqipërisë për një ecuri pozitive dhe të shpejtë në procesin e integrimit. “Shpresoj që ky takim konsultativ të shërbejë si mënyrë miratimi i një projekti pune dypalësh në përmbushjen e detyrimeve të 12 rekomandimeve të KE-së; që angazhimi të jetë i përbashkët, mazhorancë-opozitë, e rezultati i matshëm, i përkthyer në respektim të ligjit dhe përmbushje të detyrimeve të diktuara”, tha ministrja Bregu. Ajo nënvizoi rolin e opozitës si të patjetërsueshëm jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë praktik, pasi pesë rekomandimet e para të KE-së flasin për votim në Parlament të ligjeve me 3/5.

Fyle në Tiranë

Komisioneri për zgjerim në BE, Stefan Fyle, do të zhvillojë sot një vizitë në Tiranë. Ai ndodhet në një vizitë në vendet e Ballkanit, ndërkohë që nesër do të ketë një ndalesë disaorëshe në kryeqytetin e Shqipërisë. Eurokomisioneri Fule do të marrë pjesë në tryezën e integrimit dhe më pas do të mbajë edhe një konferencë për shtyp. Konferenca e Integrimit ka filluar punimet ditën e djeshme, në prani të zyrtarëve vendas dhe të zëvendësit të Fyle, Sannino.

OSBE/ODIHR-i 439 vëzhgues

Vëzhguesit e OSBE-ODIHR-it zyrtarizuan nisjen e misionit për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale para, gjatë dhe pas procesit elektoral. Shefi i tij, Stonestreet, tha se do të monitorohet procesi, administrata zgjedhore dhe media. Në mision bëjnë pjesë 39 vëzhgues afatgjatë dhe 400 afatshkurtër. Misioni do të takojë përfaqësues të qeverisë qendrore, vendore, liderë politikë, e do të hartojë dy raporte të parakohshme e një përfundimtar pas zgjedhjeve.

Berisha pret miqtë kuvajtianë

Diskutohet vendosja e një linje ajrore Shqipëri-Kuvajt

Kryeministri Berisha priti dje në një takim kryetarin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Kuvajt, zotin Waleed Al Tabtabaei, dhe delegacionin nga parlamenti i Kuvajtit, që e shoqëronte. Kreu i qeverisë u shprehu mysafirëve mirënjohjen e qeverisë shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvajtit dhe për ndihmën e çmuar në shumë sektorë të rëndësishëm. Duke vlerësuar kontributin e investitorëve kuvajtianë në Shqipëri, u rikonfirmua vullneti për të konsoliduar dhe zgjeruar investime të mëtejshme nga kompanitë kuvajtiane në Shqipëri. Në takim u diskutua edhe për krijimin e mundësive për qytetarët shqiptarë që dëshirojnë të punësohen në Kuvajt, të vendosjes së një linje ajrore direkte Shqipëri-Kuvajt, si dhe për zgjerimin e shkëmbimeve kulturore midis dy vendeve. Ndërsa anëtarët e parlamentit kuvajtian siguruan Kryeministrin Berisha se Kuvajti po punon intensivisht edhe për njohjen sa më të shpejtë të shtetit më të ri evropian, Republikës së Kosovës. Ata i shprehën njëkohësisht vlerësimin e lartë për Rrugën e Kombit, të cilën e quajtën një vepër madhështore që do t’i shërbejë zhvillimit e rritjes së shkëmbimeve ekonomike midis dy vendeve, por edhe bashkëpunimit në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›