E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertiza e pistoletave: 4 vrasjet jo nga këto armë

30/03/2011  Shumë pak nga armët e ekspertuara kanë rezultuar se më 21 janar kanë kryer qitje

I gjithë procesi kryhet duke u filmuar dhe dokumentuar në tërësi

TIRANE-Instituti i Policisë Shkencore ka dërguar në Prokurori disa nga ekspertizat balistike të pistoletave që janë përdorur nga efektivat e Gardës së Republikës në demonstratën e 21 janarit. Janë gati gjysma e ekspertizave të pistoletave të bllokuara pak kohë më parë në Gardë dhe se asnjëra prej tyre nuk vërteton vrasjen e katër demonstruesve me pistoleta. Konkluzioni paraprak ka ardhur nga specialistët e institutit të Policisë Shkencore, të cilët megjithëse nuk kanë përfunduar të gjitha ekspertizat e armëve, kanë njohur pak ditë më parë Prokurorinë me disa nga konkluzionet e nxjerra. Në relacionin përfundimtar të disa prej pistoletave, ekspertët kanë theksuar se armët me numrat përkatës nuk janë ato që kanë vrarë katër demonstruesit Zivër Veizi, Aleks Nikaj, Hekuran Deda dhe Faik Myrto. Shumë pak nga armët e ekspertuara kanë rezultuar se në demonstratën e 21 janarit kanë kryer qitje, gjë e cila provohet nga ekzaminimet mikroskopike, por dhe nga gëzhojat e sekuestruara në oborrin e godinës së Kryeministrisë. Aktualisht specialistët e institutit së bashku me ekspertët amerikanë të FBI-së vazhdojnë punën për ekspertimin e plotë të të gjitha pistoletave. I gjithë procesi kryhet duke u filmuar dhe dokumentuar në tërësi. Ndërkohë që grupi i hetimit është duke riparë dhe një herë tjetër të gjitha pamjet filmike, me qëllim verifikimin e plotë të gardistëve që kanë përdorur pistoletat gjatë ngjarjeve të dhunshme në demonstratën e 21 janarit. Veç këtyre veprimeve, hetuesit e dosjes “21 janari” kanë marrë në pyetje familjarët e demonstruesit nga Lezha Aleks Nikaj. Ata kanë dhënë shpjegime lidhur me një foto të sekuestruar nga Prokuroria, ku pretendohet se në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ndodhet trupi i pajetë i Aleks Nikës. Ky pretendim është hedhur poshtë nga të afërmit, të cilët kanë pohuar se trupi i pajetë që është fotografuar nga një fotograf i huaj, nuk është trupi i Nikaj. Ngjarja e 21 janari solli vdekjen e katër personave dhe plagosjen e 7 të tjerëve. Ndërkohë që shumë policë dhe efektiva të Gardës së Republikës morën dëmtime të rënda dhe të lehta nga demonstruesit e mbledhur nga Partia Socialiste.

Të akuzuarit

Agim Llupo

Nga gjashtë urdhra-arrestet e lëshuara nga Prokuroria, vetëm njëri prej tyre vazhdon të jetë në zbatim, i cili mban të izoluar në qeli shefin e njësisë speciale të Gardës Agim Llupo. Ky i fundit akuzohet se ka vrarë demonstruesin Ziver Veizi, por ekspertiza tregon se predha ka pasur devijim.

Katër gardistët

Mark Nikolli, Sadik Çela, Gazmend Ahmetaj dhe Agron Malaj janë katër gardistët e liruar nga gjykata, për të cilët Prokuroria kishte kërkuar lënien në burg me një afat 30 ditur. Kjo masë është kundërshtuar fort nga avokatët, të cilët kanë pohuar se klientët e tyre s’mund të qëndrojnë në qeli deri sa akuza të gjejë provat.

Zv/komandanti

Alfred Ahmetcenaj, zv/komandanti i Gardës së Republikës, u arrestua menjëherë nga Prokuroria, sapo kjo e fundit ndaloi vartësin e tij Agim Llupo. Ahmetcenaj u ndalua pas dyshimeve se ai mund të kishte qenë personi që kishte urdhëruar Llupon të qëllonte në drejtim të turmës. Ky dyshim u rrëzuar poshtë nga gjykata.

rmët për ekspertizë

Përveç këtyre pistoletave janë rreth 140 armë të tipeve dhe kalibrave të ndryshëm që janë sekuestruar nga Prokuroria në magazinat e Gardës së Republikës. Secila prej tyre do i nënshtrohet ekspertizave balistike të specialistëve të institutit të Policisë Shkencore. Ndërkohë që deri tani vetëm një armë ka rezultuar se ka qëlluar mbi protestuesit.

Viktimat

Janë vrarë katër demonstruesit Ziver Veizi, Aleks Nikaj, Hekuran Deda dhe Faik Myrto.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›