E Diel, 1 Nëntor 2026

Sanino-Topallit: Funksionimi efikas i Parlamentit, garanci për demokracinë

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sanino, e vlerësoi sot si shumë të rëndësishëm zgjerimin e BE në drejtim të Ballkanit Perëndimor, gjatë një seminari të drejtuar nga kryeparlamentarja e vendit, Jozefina Topalli, lidhur me integrimin e Shqipërisë në BE, ku ishin pjesmarrës ambasadori italian Masimo Gaiani, ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi si dhe deputetë e diplomatë shqiptarë dhe italianë.
Sanino ripërsëriti thirrjen ndaj forcave politike shqiptare për unifikim dhe dakortësi në lidhje me procesin e integrimit, duke theksuar se proceset integruese nuk janë monopol të njërës palë apo tjetrës, por në interes të gjithë shqiptarëve.

“Ne e quajmë të rëndësishëm funksionimin efikas të Parlamentit pasi garanton demokracinë në vend. Në 2002 Romano Prodi hodhi idenë e zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor, që atë kohë ishte një ide revolucionare. Kroacia është një vend që rrit prespektivën , po ashtu dhe Mali i Zi ka bërë hapa pozitivë. Jam i bindur se Shqipëria i ka të gjitha energjitë dhe forcat për të përshpejtuar proçesin e integrimit, ndaj është e domosdoshme që forcat politike të tregojnë vullnet dhe vendosmëri për të përshpejtuar axhendën europiane”, tha Sanino.

“Së bashku ne do të mund të arrijmë rezultate pozitive në këtë drejtim, integrimi nuk është monopol i një pale, por u përket të gjitha forcave politike dhe gjithë vendit. Ka një angazhim shumë të fortë italian në integrimin e Shqipërisë në BE. Nga ana jonë do të jetë një mbështetje dhe vullnet i fortë”, u shpreh Sanino.
Ambasadori italian Masimo Gaiani vlerësoi pozitivisht nisjen e dialogut mes palëve, ndërsa shtoi se ky është vit i rëndësishëm për integrimin.
Ndërsa kryeparlamentarja Topalli vlerësoi mbështetjen e Italisë në të gjitha proceset e zhvillimit të Shqipërisë si dhe siguroi zotin. Sanino se ka një vullnet të madh politik në vend për të cuar përpara reformat në funksion të integrimit Evropian.

“Italia vazhdon të jetë një mbështetje e madhe në rrugët integruese dhe zhvillimin e Shqipërisë. Vendi ynë është republikë parlamentare dhe përpjekjet për ta parlamentizuar edhe më tepër është një proces ne vazhdim. Pavarësisht vështirësive Kuvendi ka miratuar mbi 400 ligje dhe rezoluta të përqëndruar në dy shtyllat kryesore, në ekonomi dhe integrim. Prespektiva europiane u takon të gjitha forcave politike. Ka një vullnet të madh politik për të cuar përpara reformat në funksion të integrimit Evropian. Prioritet mbeten ligjet me 3/5. Po punohet në komisionin e reformës zgjedhore. Ne jemi terësisht të ndërgjergjshëm dhe e shoh me optimizëm të ardhmen dhe ju siguroj se do të ecim përpara me reformat”, përfundoi Topalli.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›