E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sanksione ndaj Sirise. BE do te ndaloje importet e naftes

Bashkimi Europian shtoi sanksionet ndaj Sirisë së përfshirë nga protestat antiqeveritare, duke ndaluar importin e naftës. Embargoja e naftës duket të jetë mjaft e rëndë për Damaskun, pasi  jo vetëm përbën 25% të të ardhurave për arkën e shtetit, por edhe humbet 95% të tregut për eksportimin e saj në shtetet e BE-së.

Ministri i jashtëm hollandez, Uri Rosenthal tha se sanksionet do të godasin drejt e në zemrën e regjimit. Vetëm nga shtypja e dhunshme e protestës më ditën e faljes së madhe të së premtes, në Siri raportohen 13 viktima, ndërsa Kombet e Bashkuara thonë se janë 2200 personat që kanë humbur jetën nga dhuna qeveritare që nga nisja e manifestimeve.

Bashkimi Europian ka arritur zyrtarisht marrëvëshjen, e cila sipas një zëdhënësi të tij, pritet të nënshkruhet nga ministrant e jashtëm në Poloni për të hyrë në fuqi menjëherë. Në marrëveshje I lejohet Italisë të vazhdojë kontratat që ajo ka me Damaskun deri më 15 nëntor.

Analistët e cilësojnë këtë lëvizje të BE-së si një një përpjekje të Perëndimit për të vepruar kundër Sirisë, në mungesë të veprimeve ushtarake. Por, sipas tyre, nuk ka ndonjë të dhënë të besueshme që sanksionet e kanë bërë presidentin Al Assad më të dobët nga sa ishte kur nisën protestat. Këto të fundit vazhdojnë prej gjashtë muajsh dhe duket se nuk do të ndalen. Asad ka humbur kontrollin e turmave dhe mbetet e paqartë sesi do të stabilizojë vendin, në mungesë të tërheqjes nga pushteti.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›