E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sanksione për ata që nuk plotësojnë kreditet

30/03/2011   Përcaktohet pragu minimal i krediteve që duhet të mbledhin mjekët, stomatologët e farmacistët për 2011

Në proces verifikimi dosjet për kreditet e fituara gjatë vitit të shkuar. Gati regjistri Kombëtar elektronik.

Mjekët, farmacistët dhe stomatologët duhet t’u nënshtrohen programeve të edukimit në vazhdim, nëpërmjet të cilave duhet të fitojnë kreditet e përcaktuara për 2011-n, në mënyrë që të mos rrezikojnë hyrjen në provim për të ruajtur vendin e punës. Ndryshe nga një vit më parë, numri i krediteve që këta profesionistë shëndetësie duhet të mbledhin gjatë këtij viti është dyfish më i lartë. Kështu, sipas përcaktimeve të bëra nga Qendra Kombëtare e Edukimit në vazhdim, të gjithë këta profesionistë të shëndetësisë për këtë vit duhet të mbledhin minimumi 10 kredite, ndërkohë që të rekomanduara janë 20. Ndërsa për tre vitet pasardhëse, numri i kreditove që duhet të grumbullohen do të shkojë drejt tre apo katërfishimit deri në arritjen e pragut maksimal prej 150 kreditesh që do të jetë në përfundim të programit të parë të ricertifikimit të profesioneve shëndetësore. Qendra e Edukimit në Vazhdim ka vënë në funksionim regjistrin elektronik kombëtar të programit të ricertifikimit, në të cilin zyrtarizohet numri i krediteve të përfituara nga secili profesionist në aktivitet e licencuara. Sipas rregullores së konfirmuar, ata që nuk arrijnë të mbledhin numrin e kërkuar të krediteve për ciklin e parë të programit deri më 31 dhjetor 2014, do t’i nënshtrohen një testimi. Nëpërmjet këtij testimi profesionistët e shëndetësisë do të duhet të faktojnë që gëzojnë aftësitë e duhura për të mbajtur licencën e punës. Specialistët e shëndetësisë, që do të dështojnë në provimin e parë, ose që për arsye të ndryshme nuk i nënshtrohen atij kanë mundësinë që brenda 6 muajsh nga përfundimi i ciklit të programit të ricertifikimit t’i nënshtrohen një provimi të dytë, shpenzimet e të cilave do të mbulohen në mënyrë individuale. Për rastet kur profesionisti mjekësor dështon edhe në provimin e dytë, ai do të ndëshkohet me pezullim të kontratës në institucionin ku gjendet i punësuar, deri në momentet që do të jetë i aftë për të konfirmuar të kundërtën. Drejtuesit e Qendrës së Edukimit bëjnë me dije se këta profesionistë duhet të mbledhin 150 kredite gjatë ciklit të parë të programit të ricertifikimit, nga të cilat jo më shumë se 50 për qind mund të përfitohen duke ndjekur aktivitete të mësuarit në distancë, dhe jo më shumë se 20% për qind nga aktivitete të vetëraportuara. “Siç jeni në dijeni, këto kredite mund të fitohen përmes pjesëmarrjes në konferenca, seminare, trajnime të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit, aktivitete të të mësuarit në distancë, dhe aktivitete individuale, si: shkrim artikujsh, librash, punë kërkimore; lexim literature shkencore, pjesëmarrje në aktivitete shkencore, etj. Informacion mbi aktivitete të akredituara që parashikohen të ndodhin mund ta gjeni në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim ëëë.qkev.gov.al”, konfirmohet nga burimet zyrtare të kësaj qendre. Po në këtë faqe zyrtare në mënyrë të vazhdueshme hidhen edhe programet që mjekët, stomatologët, apo farmacistët do të duhet të ndjekin gjatë këtij viti për të marrë kreditit e duhura, që nuk u rrezikojnë vendin e punës. Dorëzimi i dokumentacionit për njohjen e krediteve nga aktivitetet individuale të zhvilluara në 6-mujorin e parë të vitit duhet bërë gjatë muajit shtator, për ato të zhvilluara në 6-mujorin e dytë, gjatë muajit dhjetor të çdo viti.

Ndryshimet në ligjin e sigurimeve shoqërore për pensionet e invaliditetit

Procedura për ankimimin e vendimeve të

komisioneve mjekësore mbi aftësinë për punë

Kategoritëë trajtohen me pensione invaliditeti, që janë të pakënaqur me vendimet e nxjerra nga komisionet mjekësore të caktimit të aftësisë për punë pranë vendbanimeve të tyre, mund të ankohen pranë komisionit homolog epror që ndodhet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Vendimet e këtij komisioni do të jenë të formës së prerë, çka do të thotë se ato nuk mund të ankimohen më tej në organet e gjykatave. Për këtë, nenit 35 të ligjit të sigurimeve shoqërore i është ndryshuar paragrafi 4, që lejon ankimin në gjykata, por vetëm për procedura administrative. Për përfitimin e pensionit të invaliditetit, përveç periudhës së sigurimit, një nga kushtet është edhe shkalla e humbjes së aftësisë për punë, e cila caktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP). Kështu të gjithë personat që janë të pakënaqur me vendimin që nxjerrin komisionet e ngritura pranë drejtorive rajonale të sigurimeve që gjenden në vendbanimet tyre, mund të ankohen pranë të njëjtit komision që është klasifikuar si epror e që gjendet në ISSH. Vendimet e këtij komisioni janë të formës së prerë, çka do të thotë se ky vendim nuk mund të ankimohet më tej në gjykatë. Por ndryshimi i bërë në ligjin përkatës përcakton se vendimi mund të ankimohet në gjykatë vetëm për procedurë administrative në respektim të ligjit, çka do të thotë se vendimi i KMCAP epror nuk është objekt gjykimi në gjykatë për ekspertizë mjekësore. Sipas përcaktimeve të bëra në ligj, konfirmohet se personi që bëhet i paaftë merr pension invaliditeti kur ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit dhe për çdo arsye, veç aksidentit në punë ose sëmundjes profesionale. Ai e merr këtë pension kur bëhet i paaftë “për çdo veprimtari ekonomike, si dhe kur ka gjymtime të forta dhe dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin)”. Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa gjysma e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç. Personi, që është në kushtet e invaliditetit të plotë, por që nuk plotëson periudhën minimale të sigurimit, ka të drejtë për pension invaliditeti të reduktuar, në masën që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›