Kapet i kërkuari në Tiranë, plagosi vëllain e deputetit
Dy vëllezër janë arrestuar nga policia e kryeqytetit, pasi janë kapur me armë pa leje. Ata janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Tiranës, ku ka rezultuar se njëri prej tyre ishte në kërkim edhe për plagosjen e vëllait të deputetit të PS-së, Armando Prenga. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më 17 maj, kur mbeti i plagosur Gjon Prenga, por edhe një nga të arrestuarit e djeshëm, Shpëtim Marku. Burimet zyrtare të policisë thanë se nga shërbimet e Komisariatit Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i vëllezërve Urim Isa Marku, 27 vjeç, dhe Shpëtim Isa Marku, 36 vjeç, të dy lindur në Kukës dhe banues në Shkozë. Arrestimi i tyre u krye sepse mbrëmë, rreth orës 21.30, në rrugën “Ali Demi”, nga kontrolli i ushtruar në automjetin tip “Mercedes Benz”, me targa WQF 799, drejtuar nga shtetasi Shpëtim Marku, shërbimet e policisë kanë gjetur në bagazhin e këtij mjeti një armë automatik “Kallashnikov”, me dy krehra me 58 fishekë. Nga kryerja e veprimeve procedurale rezultoi se arma i përkiste Urim Markut, i cili ishte person në kërkim. Sipas të dhënave, ai ishte shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur në një buzuk pranë “Nëntëkatësheve” në Tiranë. Në orët e para të mëngjesit të 27 majit, Gjon Prenga, i cili është vëllai i deputetit të PS-së në Laç, Armando Prenga, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, duke e plagosur lehtë në trup shtetasin Shpëtim Marku, i arrestuar dy net më parë. Gjatë këtij konflikti, kanë ndërhyrë më pas vëllai i të dëmtuarit, Urimi, dhe Besnik Smajli, të cilët kanë goditur me sende të forta në kokë Gjon Prengën, i cili u dërgua në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë. Pas këtij konflikti, strukturat e hetimit të krimit shpallën në kërkim Urim Markun dhe Besnik Smajlin. Ndërkaq, Shpëtim Marku u la i lirë, por u arrestua Gjon Prenga, i cili është edhe pronari i një lokali në Kombinat.
#