Sanksione për spitalet që nuk pajisen me autoklava
Institucionet shëndetësore që nuk do të pajisen me autoklava për trajtimin e mbetjeve spitalore do të ndëshkohen. Pikërisht për të folur për ndotjen mjedisore, që shkaktojnë mbetjet spitalore, dje në QSUT është zhvilluar një konferencë e përbashkët me Agjencinë Rajonale të Mjedisit. “Ne tashmë u kemi kërkuar të gjitha spitaleve e materniteteve të marrin masat, për t’u pajisur me autoklava, në mënyrë që të mos shkaktojnë ndotje mjedisore. Për ato institucione që nuk e respektojnë këtë rregull do të ketë sanksione të forta, ndërkohë që një pjesë e spitaleve apo klinikave private janë në proces gjyqësor me ne. Por, ajo që dua të theksoj është se Qendra Spitalore ‘Nënë Tereza’ është e vetmja që ka zbatuar rregulloren për përpunimin e mbetjeve spitalore, përpara afateve të përcaktuara”, - ka theksuar kreu i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Afrim Tola. Kurse drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku, e ka cilësuar këtë si një epokë të re të higjienës në spitale, pasi rritja e saj sjell minimizimin e infeksioneve spitalore.