Tregtia e jashtme, nuk janë shfrytëzuar potencialet e MSA
Tregtia e jashtme e vendit tonë me vendet e Bashkimet Europian është ende nën potencialet e hapësirave që krijon Marrëveshja e Tregtisë së Lirë. Në një studim shkencor për zhvillimet e tregtisë së jashtme të publikuar dje nga Banka e Shqipërisë thuhet se, rezultatet e modelit sugjerojnë se, volumet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të BE-së, si Greqia dhe Italia, janë pranë ekuilibrit potencial të mundshëm, ndërsa ekziston hapësira për intensifikimin e shkëmbimeve tregtare me Gjermaninë dhe Rajonin. Rezultatet e modelit për shkëmbimet tregtare me vendet e rajonit sugjerojnë se volumet tregtare me këto vende janë shumë më poshtë ekuilibrit potencial. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë nëpërmjet këtij studimi rekomandojnë mundësinë e intensifikimit të shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë me vendet e rajonit nëpërmjet përmirësimit të rrjetit infrastrukturor dhe integrimit të mëtejshëm. “Kështu, me anë të aplikimit të plotë të MSA-së, volumet tregtare do të intensifikohen ndjeshëm, jo vetëm me partnerët tregtarë tradicionalë, por edhe me vendet e tjera të BE-së”. Në fakt Shqipëria nuk ka përfituar gjithçka pritej nga tregtia e lirë. Pasi ekspertët kishin parashikuar që të paktën çmimet e importit të uleshin 6 për qind, si rezultat i heqjes së tarifave doganore dhe rritjes së konkurrencës. Por kjo nuk ka ndodhur. Çmimet, përkundrazi, janë rritur. Të gjitha studimet analoge, për tregtinë e jashtme, dëshmojnë edhe për mosshfrytëzim të potencialeve. Vlerat e ulëta të tregtisë ndërajonale përbëjnë një dobësi strategjike, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Iniciativat e Tregtisë së Lirë e kanë përmirësuar disi situatën, por ende ka hapësira të mëdha të pashfrytëzuara edhe me Rajonin. Situata mund të përmirësohet sipas ekspertëve, duke maksimizuar mundësitë për eksport dhe dhënia e ndihmës eksportuesve të rinj. Italia është padyshim tregu më i rëndësishëm për Shqipërinë. Por marrëdhëniet e Tregtisë me Italinë janë bazuar në përdorimin e fuqisë së lirë punëtore. Ekspertët e vlerësojnë se është një çështje kritike për Shqipërinë, që kontrolli, si i importeve dhe i eksporteve, është pothuajse në duart e palës italiane. Një synim i qeverisë, sugjerojnë ekspertët, është rritja e numrit të kompanive shqiptare ,që duan të shesin në tregun italian. Greqia nga ana tjetër është partneri i dytë më i rëndësishëm në tregtinë e jashtme. Eksportet drejt Greqisë, kryesisht janë bazuar në përdorimin e fuqisë së lirë punëtore, por në një shkallë më të ulet sesa në Itali. Gjermania, tradicionalisht ka qenë tregu i tretë për Shqipërinë, por në 2004 këtë vend e zuri Kosova. Produkti kryesor i eksportit janë veshjet (prodhim për jashtë), por Gjermania ka qenë gjithashtu një treg për produktet ushqimore shqiptare dhe mund të thithë më tepër produkte të tilla, në rast se, kompanitë shqiptare do të zgjidhin problemet që lidhen me furnizimet, p.sh. cilësinë. Turqia zë vetëm 1% të eksporteve shqiptare. Kjo vjen pjesërisht nga disa ngjashmëri në produktet e prodhuara në të dy vendet dhe në të cilat Turqia do të gëzojë vazhdimisht një avantazh, për shkak të nivelit të ekonomive. Ndërsa tregtia në rajon është shumë poshtë nivelit të dëshiruar, ka disa të dhëna të një ndikimi pozitiv nga Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë. Kosova është i vetmi vend me të cilin Shqipëria ka një balancë pozitive. Lidhjet e ngushta dhe afërsia me Kosovën, e bëjnë atë një treg të përshtatshëm për të gjithë eksportuesit shqiptarë.