E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e barnave në QSUT, problemi zgjidhet në maj

SHKRUAN: Jonida Tashi 16-02-2011 11:09

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të vazhdojë të ketë probleme, me mungesën e ilaçeve, deri në muajin maj të vitit aktual. Deklarata është bërë dje nga drejtori i QSUT-së, Saimir Ivzniku, i cili është i pari nga drejtuesit e shëndetësisë që ka pranuar mungesën e barnave në spitalin më të madh të vendit, ndërsa ka dhënë edhe shpresa për zgjidhjen e situatës, dhe pse jo shumë afër. Kështu, kreu i QSUT-së ka theksuar se deri në muajin maj, do të përfundojnë të gjithë tenderët dhe furnizimi me ilaçe. Sipas Ivznikut, fillimi i vitit ka nisur me mungesa të ilaçeve, për shkak të ndarjes që po i bëhet buxhetit të akorduar për vitin 2011. Kjo, sipas tij, do të sjellë probleme në ofrimin e paketës të shërbimeve bazë për pacientët e siguruar. Por, ai ka garantuar se këto mungesa nuk do të jenë të theksuara. “Jemi në fazën që po përmbyllim përcaktimin e të gjitha nevojave, mbi bazën e një studimi. Kuptohet që procedurat janë të atilla që kanë afatet e tyre kohore. Besoj dhe shpresoj shumë, që me një preokupim më të mirë, të zgjidhim problemet deri në fund të majit kur edhe tenderët do të realizohen”, - ka pohuar Ivzniku. Ndërkaq, ai ka pranuar se fondi i akorduar për Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” është mjaft i vogël dhe ai nuk arrin të mbulojë gjithë nevojat e spitalit më të madh në vend, i cili mbulon në masën 52% dhe nevojat e rretheve. Për këtë arsye, drejtori i QSUT-së do të kërkojë dhe ndihmën e donatorëve. “Mos harroni që janë 62 shërbime unikale në QSUT, të cilat kërkojnë vëmendjen nga ne përsa i përket buxhetit dhe fondeve të alokuara që duhen për to. Po ju them se do të duheshin më tepër fonde. Në planet e mia për këtë vit është që institucioni të jetë i hapur, sepse këtu ka shumë mundësi. Është një komunitet i tërë donatorësh që operojnë në Shqipëri, të cilët janë burime për kapërcimin e emergjencave që mund të krijohen”, - deklaroi Ivziku. Një tjetër shkak për mungesën e barnave në spitalin “Nënë Tereza”, sipas drejtorisë së tij, janë dhe procedurat e prokurimeve publike. Për këtë, Ivziku ka kërkuar prokurime e procedura të shpejta për blerjen e barnave, me qëllim që ato të mos mungojnë në asnjë moment. Sipas tij, në QSUT nuk do të ketë mungesë të ilaçeve bazë këtë vit, nëse do të bëhet një menaxhim më i mirë i fondeve, si dhe një rritje e të ardhurave dytësore. “Herë pas here krijohen probleme me furnizimin e spitalit me ilaçe, por problemi që ka sot QSUT-ja është mbipopullimi. Kjo do të thotë është një numër shumë i madh i pacientëve dhe të sëmurëve që kërkojnë asistencë në QSUT. Në momentet e mbipopullimit bëhet edhe më e vështirë sigurimi i ilaçeve, duke filluar që nga ato bazike, apo edhe ato të shtrenjtat, pasi gjithmonë ka një problem në kuptimin e menaxhimit dhe të plotësimit të nevojave sa më mirë”, - ka theksuar më tej, Saimir Ivziku. Sipas tij, gjithmonë vëmendja kalohet në ato raste kur kërkohen ilaçe të shtrenjta, që ka të bëjë me rrezikun e drejtpërdrejtë të pacientit. “Kjo gjë na detyron të marrim edhe vendime që janë në mbështetje të këtyre rasteve, të cilët rrezikojnë jetën. Megjithatë, ne jemi duke bërë një mirëmenaxhim më të mirë të barnave. Kjo ka të bëjë me një paketë bazë të ilaçeve dhe materialeve të mjekimit, e cila nuk do të mungojë në QSUT. Kjo do të thotë që materialet bazë dhe ilaçet kryesore nuk do të mungojnë përgjatë këtij viti në QSUT. Kuptohet në momente të caktuara, apo nga fluksi ku krijohet mbingarkesë, kërkohet një zgjidhje urgjente e problemit”, - ka pohuar drejtori i QSUT-së.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›