Biznesi zbardh skemën e kontrabandës
Biznesi i madh dhe i vogël ka bërë dje publike, në një takim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, se si bëhet kontrabandë, edhe pas vendosjes së kasave fiskale. Biznesi vërejti se procesi i fiskalizimit në vend ka dështuar, pasi sipas tyre aktualisht nuk janë instaluar as 50% e pajisjeve në fjalë, duke mos arritur në këtë mënyrë të luftohet informaliteti. Ndërsa, sipas skemës së mëparshme, bizneset e mëdhenj kishin marrëdhënie me njëri-tjetrin, duke shkëmbyer faturat tatimore, tanimë, me procesin e fiskalizimit, biznesi i vogël për çdo mall e shërbim, duhet të pajiset me kupon tatimor nga biznesi i madh. Ajo që ndodh aktualisht, sipas një prej përfaqësuesve të biznesit të vogël, të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Arbert Nasto, është se vetëm 30 % e biznesit të madh jep kuponat tatimorë dhe kjo kthehet në problem për biznesin e vogël, gjatë kontrolleve nga tatimet. Ndërkaq, biznesi i vogël kërkoi dje, gjatë takimit me krerët e lartë të tatimeve, që kontrolli nga ana e administratës tatimore të mos bëhet në rang pushteti vendor, por qendror, pasi sipas tij, është mungesa e kontrollit të rreptë, që abuzohet me kuponat tatimorë. Në të njëjtën kohë, përfaqësues nga Distributorët e makinave në vend akuzuan për pirateri në sistem, duke theksuar se evazioni fiskal ekziston në mënyrë galopante, duke e shkatërruar këtë biznes. Shifrat që raportuan distributorët e këtij biznesi për evazion fiskal arrijnë në 25 000 automjete të pazhdoganuara për 2010-ën. Ata kërkuan që qeveria të këmbëngulë për krijimin e Gjykatës Administrative. Ndërsa nga pala e Tatimeve, Basri Ruka, theksoi se Drejtoria e investigimit të Brendshëm antikorrupsion e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë me evazionin fiskal në kontrollet e herëpashershme janë evidentuar rastet dhe janë marrë masa nga më të ndryshmet, deri në kallëzim penal në prokurori. Sipas Rukës, disa nga të penalizuarit kanë bërë pjesë në nivele të larta drejtuese, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Ruka bëri me dije gjithashtu se janë arrestuar në flagrancë edhe punonjës tatimorë, që për efekt hetimi nuk mund të bëhen publik emrat e tyre. Gjatë takimit të Dhomës Amerikane të Tregtisë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, kreu i kësaj të fundit Gazmir Spahiu, në analizën për 2010 të tatimeve, vërejti se janë ndërmarrë një sërë ndryshimesh fiskale organizative dhe ligjore. Spahia përmendi krijimin e zyrës së avokatit të tatimpaguesve, e cila shqyrton dhe investigon aktet administrative, krijimin e Këshillit konsultativ Tatimor pranë Ministrisë së Financave, i cili diskuton një sërë problematikash dhe ndërmerr masa për zgjidhjen e tyre. Gjatë vitit 2010, citoi Spahia, në analizën vjetore është bërë informimi në kohë reale i taksapaguesve dhe është zbritur pragu i tatueshëm për bizneset nga 5 mln në 2 mln lekë, nismë fiskale e cila sipas Spahisë zgjeroi skemën e tatimpagesëve në 7000 të tillë. Spahia evidentoi si nismë të rëndësishme procesin e fiskalizimit, i cili synon uljen e informalizimit të biznesit. Spahia raportoi se në tërësi janë fiskalizuar 80 % e bizneseve, nga të cilët 40000 biznese të vegjël dhe 750 karburante. Ai theksoi se janë monitoruar shoqëritë e autorizuara dhe janë gjetur shkelje, për të cilat janë penalizuar deri në heqjen e statusit të autorizuara.