E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, grabitet me armë menaxheri i një supermarketi

Një tjetër grabitje me armë ka tronditur banorët e Vlorës paraditen e sotme. Mësohet se një person i armatosur dhe i maskuar ka grabitur menaxherin e një supermarketi në mes të qytetit.

Sipas informacioneve të para, menaxheri i një supermarketi të madh në Vlorë, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, është grabitur para një banke, ku ai po shkonte për të kryer veprimet bankare.

Sipas dëshmitarëve, ai ka parë se ndiqej nga një person i armatosur dhe i maskuar, dhe në këtë moment, i frikësuar për jetën e tij, ka lënë sasinë e lekëve që kishte me vete dhe është larguar.

Grabitësi ka marrë çantën me para, vlera e të cilave mendohet të jetë rreth 5,9 milionë lekë, dhe është larguar në drejtim të Skelës.

Ndërkohë, menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka nisur krehjen e zonës ku dyshohet të jetë fshehur grabitësi.

Pritet që policia të japë versionin e saj në lidhje me ngjarjen në orët e ardhshme. / A. Peçi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›