E Diel, 1 Nëntor 2026

Sapo del nga burgu vritet për gjakmarrje 25 vjeçari

policia-tiraneLaç/Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në qytetin e Laçit ku një person është ekzekutuar pikërisht në ditën e parë të lirisë së tij nga burgu. Sipas të dhënave të policisë ky atentat është kryer me motive hakmarrje për një plagosje të vitit të kaluar, ekzekutohet pak orë pas daljes nga burgu 25-vjeçari dhe plagoset rëndë shoku i tij. Krimi ka ndodhur rreth orës 20:10 të mbrëmjes së djeshme në Sanxhak të Kurbinit, pranë shkollës së kësaj zone. Një breshëri automatiku ka prerë në mes Besar Ndreun dhe shokun e tij Klentin Bajraktari, të dy banues në Sanxhak. Agresori ka qëlluar duke përfituar nga errësira dhe është arratisur. Besar Ndreu u dërgua në Spitalin Ushtarak, por pak minuta pas mbërritjes ndërroi jetë si pasojë e plagëve. Kurse Bajraktari mbahet jashtë rrezikut. Një orë pas atentatit, policia identifikoi, lokalizoi dhe arrestoi si të dyshuar Albert Tuçin, 22 vjeç, banues në Laç, njëkohësisht vëllai i Saimir Tuçit, të plagosurit nga Ndreu vitin e kaluar. Pista kryesore e hetimit është hakmarrja. Mëngjesin e djeshëm 25-vjeçari ishte liruar nga burgu dhe kthyer në banesë.
Ngjarja
Banorët raportuan breshërinë e armës, ndërsa gjetën të plagosur dy të rinjtë që u dërguan për në spital. Policia vendore bëri me dije se fillimisht dy të rinjtë janë plagosur, ndërsa më pas 25-vjeçari Besart Ndreu nuk ka mundur ti mbijetojë  plagëve të marra, duke ndërruar jetë në spital. Po sipas policisë, viktima dyshohet se ka qenë edhe shënjestra e atentatit dhe dje gëzonte ditën e parë të lirisë, pasi kishte dalë nga burgu, ku vuante dënimin për plagosje. Ngjarja është zbardhur shpejt edhe si pasojë e dëshmisë të të mbijetuarit dhe lokalizimi i të dyshuarit Albert Tuçi u bë në kohë rekord.
Precedenti
Ngjarja për të cilën besohet se është kryer hakmarrja ka ndodhur më 14 mars të vitit të kaluar në Sanxhak të Kurbinit. Besar Ndreu u arrestua një ditë pas krimit me akuzën plagosje të rëndë me dashje dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit. Rreth orës 13:45, në vendin e quajtur Qafë-Pazari, në Sanxhak, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri pistoletë pas një konflikti për motive të dobëta, Saimir Tuçin, 22-vjeç. I plagosuri është dërguar në spitalin e Lezhës, ku kaloi rrezikun për jetën. Duket se pakënaqësia për vendimin e gjykatës për dënimin me një vit burg është bërë shkak edhe për hakmarrjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›