E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarah Palin moderatore

Ajo ishte mbretëreshë e bukurisë dhe kandidate për zëvendëspresidente të SHBA-së. Tani Sarah Palin ka vendosur ta sprovojë vetën në një fushë krejt tjetër: ajo do të jetë moderatore dhe komentatore në kanalin konservator televiziv, Fox News.

Siç njoftoi Fox News, Palin ka nënshkruar një kontratë disavjeçare me këtë kanal.

Ajo është paraparë të bëjë komente dhe analiza politike, si dhe të moderojë disa pjesë të realit-shoët, “Tregime të vërteta amerikane”, show ky i cili pritet të fillojë së shpejti.

Fox News me këtë rast nuk ofroi detaje tjera më të hollësishme në lidhje me kontratën me Palinin.

“I gëzohemi faktit se do të kemi në radhët tona një zë mjaft dinamik”, u theksua në kumtesën e Fox News, kanal ky i cili i takon Rupert Murdochit.

Vetë Palin theksoi se është tejet e gëzuar për shkak të angazhimit të saj në këtë kanal, i cili njihet për kritikat e tij në adresë të presidentit amerikan, Barack Obama.

“Është mrekulli të punosh në një kanal, i cili respekton raportet korrekte dhe të baraspeshuara”, theksoi Palin.

Në vitin 2008, Palin ishte kandidate për zëvendëspresidente e kandidatit të republikanëve për president, senatorit John McCain. Pas fushatës së dështuar, popullariteti i Palinit shënoi një rënie të dukshme. Në korrik të vitit të kaluar, ajo dha dorëheqje edhe nga funksioni i guvernatores së shtetit të Alaskës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›