Saranda, pjesë e paketës turistike të rajonit për vitin 2009
Edhe dy dite e ndajnë Sarandën nga promovimi i çeljes zyrtare të sezonit turistik 2009. Në këtë atmosferë përgatitjesh për ta përjetuar dhe nxitur më shumë këtë eveniment, drejtuesit e Bashkisë së Sarandës dhe specialistë të turizmit, flasin për të rejat që do të arrijë ky sektor për këtë vit. Fatos Mullaj, nënkryetar i kësaj bashkie, duke folur për rezultat e vitit që kaloi, rendit si veprimtari të përhershme projektet e kthyera tashmë në traditë, që janë promovuar si aktivitete me karakter ndërkombëtar, si Takimin e Teatrove Antikë në Festivalin e Butrintit, Festivalin Ndërkombëtar të Orkestrave Frymore dhe takimin Ndërkombëtar të Këngës dhe Valles për Çamërinë, që zhvillohet në muajin Gusht, me pjesëmarrjen e grupeve artistike nga të gjitha trevat shqiptare, të cilat janë programuar të zhvillohen edhe këtë vit.
Në mbështëtje të këtyre veprimtarive janë rritur 2.5 herë fondet për të siguruar suksesin edhe cilësinë e tyre. E reja e sezonit Verë 2009 është fillimi i ardhjes së grupeve turistike qysh në javën e fundit të prillit, numër ky që pritet të rritet në muajt në vazhdim. Viti 2009, pritet të sjellë edhe më shumë turistë që do të kenë një cikël ditëqëndrimi në mjediset e qytetit dhe në rajon, si Gjirokastër e Himarë jo më 1 ditor, por disa ditor, të cilët do nisen me avion nga Austria, aeroporti i Vjenës dhe Linçit dhe do të mbërrijnë në Korfuz. Kjo paketë turistike në bazë të kontratës së lidhur me palën shqiptare është ndarë përgjysmë. Nga 8 ditë që përmban gjithë paketa, 4 ditë turistët do të vizitojnë dhe do të akomodohen për ushqim dhe fjetje në qytetin e Korfuzit dhe 4 ditët e tjera në rajonin e Sarandës, ku një ditë parashikohet vizitë në Gjirokastër me fjetje në Sarandë. Ky duket një lajm i mirë për turizmin e Sarandës, që do të thotë se destinacioni i këtij qyteti ka hyre në fokusin e turistëve perëndimorë. Kjo paketë është konfirmuar nga agjecitë turistike të landit të Austrisë së veriut. Së afërmi, në ditët e para të Majit pritet që të inagurohet kjo paketë me ardhjen e një numri të konsiderueshëm të një grupi turistik të përbërë nga profesorë e studentë të mjekësisë sportive të universitetit të Vjenës. Sipas burimeve zyrtare të Bashkisë së Sarandës, shifra e deklaruar e turistëve të ardhur në qytet për vitin 2008, ka qenë 300 mijë vetë me qëndrim një ditor, vetëm për vizitë brenda ditës, kryesisht të ardhur nëpërmjet linjës detare nga Korfuzi. 40 % e tyre kanë qenë nga Europa Perëndimore