Spitali i ri i Kavajës, godina nuk dorëzohet edhe pas kalimit të afatit
Spitali i ri i Kavajës duhej të kishte përfunduar së ndërtuari në 8 prill kur parashikohej edhe dorëzimi i këtij investimi. Në rastin konkret një gjë e tillë duhej të ishte bërë pranë Ministrisë së Shëndetësisë, në varësi së të cilës janë institucionet shëndetësore në vend. Punimet për ndërtimin e spitalit të ri të qytetit të Kavajës filluan zyrtarisht në 8 tetor 2007 dhe afati për përfundimin e tij ishte 18 muaj. Duke bërë një llogari të thjeshtë, punimet duhej të ishin dorëzuar para tre javësh. Një gjë e tillë duket se është akoma larg, sepse firma ndërtuese është duke punuar për veshjen e fasadës së godinës, ndërkohë që punimet e brendshme të spitalit janë ende në proces.
Firma zbatuese e punimeve për ndërtimin e godinës së re të spitalit është KDK, e cila ka kryer edhe punimet për ndërtimin e spitalit të Durrësit. Paralelisht me personelin e kësaj firme, në godinën e re të spitalit në Kavajë janë duke punuar edhe firma të tjera që kanë procese të ndryshme pune, si: instalime elektrike dhe hidraulike, montim pajisjesh dhe përgatitjen e sallave, veshjen e fasadës së jashtme, punime për rrethimin, sistemimin e sheshit para godinës, vendin e parkimeve, ambientet ndihmëse etj. Spitali i ri i Kavajës është një financim i Bankës Islamike për Zhvillim me anë të një fondi prej 5,6 milion euro, ndërkohë që në inagurimin e fillimit të punimeve ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i vendit Sali Berisha. Në kohën që Berisha ka prerë shiritin e inagurimit për fillimin e punimeve iu është drejtuar përfaqësuesve të firmës fituese të tenderit për të vazhduar punën me tre turne, në mënyrë që investimi mundësisht të përfundojë para afatit. Tashmë kur ka kaluar afati zyrtar i parashikuar në kontratë, punimet duket se do të shtyhen edhe me disa muaj të tjerë. Vonesat për përfundimin e punimeve nisën që në fillim, pasi në fazën e parë të punimeve kaluan 6 muaj kohë dhe firma zbatuese nuk kishte ecur më shumë se sa ndërtimi i themeleve të godinës. Megjithëse ndërtesa karabina ka përfunduar, një proces jo pak i lehtë duket se do të jetë në ditët në vazhdim në lidhje me përgatitjen e ambienteve të brendshme dhe sidomos për instalimin e pajisjeve në sallat e operacioneve, vizitave, reanimacionit etj. Më e pritshme në këtë moment është që spitali të inagurohet në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, mundësisht disa ditë para kësaj date. Sidoqoftë, një gjë e tillë duket se do të jetë e pamundur, pasi ka ende shumë punë për të bërë. Ndërtimi i spitalit të ri për qytetin e Kavajës dhe fshatrat e kësaj nënprefekture, është një ngjarje mjaft e madhe, tamam një "ëndërr shumëshekullore" siç thuhet nga drejtues të shëndetësisë në Kavajë. Ky spital pritet ti shërbejë një popullsie prej rreth 140 mijë banorë, nga të cilët afro 40 mijë banorë vetëm të qytetit të Kavajës.