E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana Music Festival shpërblen studentët e arteve

Tirana Music Festival mbërriti në edicionin e tij të katërt këtë vit në vendin tonë. I cilësuar si një prej evenimenteve më të rëndësishme kulturore shqiptare, ai solli për disa ditë një larmi koncertesh për publikun. Në përfundim të tij tre studentët më të mirë të Akademisë së Arteve u shpërblyen me bursa studimi. Studentët Ledian Semini në kitarë, Fjorda Veizaj në piano dhe Edison Zurbo në klarinetë do të shfrytëzojnë bursat e studimit për tre muaj në Perugia, (Itali) pas përzgjedhjes nga një juri e përbërë nga Luigi Tangalleri në piano, Claudio Piastra në kitarë dhe Piero Vincenti në klarinetë. Në koncertin final të festivalit Tirana Music Festival 2009 në Akademinë e Arteve interpretuan pjesëmarrësit më të mirë të master-klasave, si, Era Çaushi, Ledian Semini, Fjorda Veizaj, Alfred Bushi, Iona Karasani, Klaudia Mehilli, Ali Nerjaku, Edison Zurbo, etj, që luajtën në piano, kitarë dhe klarinetë pjesë nga Brahms, Chopin, Mozart, Milde, Mendelssohn, Albeniz dhe Turina. Gjatë ditëve të zhvillimit të tij, studentët e Akademisë së Arteve dhe Liceut Artistik Jordan Misja u bënë pjesë e festivalit në koncertet që nisën në datën 24  prill në TKOB, në 26 dhe 27 prill në sallën Çesk Zadeja, për të përfunduar mbrëmë në sallën e madhe të Akademisë së Arteve. Festivali ashtu si edhe vitin e kaluar kishte drejtori artistike Marsida Konin dhe president Piero Vincentin, i cili gjatë qëndrimit të tij në Tiranë është shprehur se nga viti në vit ka pasur përmirësim, interes më të madh dhe nivel më të lartë të pjesëmarrësve në këtë festival dhe sipas tij ky aktivitet shërben dhe për tu dhënë mundësi talenteve të reja, që të ecin në karrierën e tyre artistike. Festivali Tirana Music Festival, u mbështet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Jashtme Italiane, Ambasada Italiane, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, Bashkia Tiranë, etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›