Sarandë, 3 ditë qyteti mbi ujërat e zeza, masa për situatën
Saranda, për ditë me radhë, është pushtuar në çdo cep nga dalja në rrugë e ujërave të zeza. Ditën e djeshme, punonjësit e kanalizimeve në tentative për të disiplinuar përrenjtë e ujërave të zeza ishin përqendruar në rrugët paralele të lagjes nr 1 dhe nr 2. Shpërthimi më i madh, epiqendra e grumbullimit të ndotjeve, ka qenë shëtitorja buzë detit, sheshi në qendër të qytetit dhe rruga tregtare, Lagja nr 4, kryqëzimi i Agjencisë së Udhëtarëve, Lagja nr 3 shkolla A. Sheme etj.
Sipas specialistëve të Ujëra-Kanalizimeve ky shpërthim masiv ka ardhur si rezultat i kryerjes së punimeve nga firma të ndryshme pas rikonstruksionit total në rrugët kryesore të qytetit dhe bllokimit të këtyre kanaleve nga mbetjet inerte nga pakujdesi e treguar prej tyre në lidhjet e tubacioneve të ndërtimeve të reja dhe lokaleve me magjistralin e tërheqjes se këtyre ujrave për shkarkimin në det në afërsi të Çukës. Për punonjësit e ujëra- kanalizimit, dy ditë e fundit kanë qene ditë aksioni e ty lodhshme për të çarë me dhjetëra metra kanal-asfalto- betoni për ta zhbllokuar e për ta vënë në funksion rrjetin transportues të ujërave të zeza. Marko Sotiri, një nga specialistet që punon për sjelljen e normalitetit në qytet thotë se aq me papërgjegjësi kanë punuar investitorët e viteve të shkuara, saqë edhe armaturat e drurit që shërbejnë për kallëpet e betonit i kanë lënë pa shqepur e për rrjedhim ato janë bllokuar nga mbetjet e ngurta në rrjedhën e ujërave të zeza. Nga dëshmitë e seksionit të financës në bashki, të gjitha firmat për punimet e kryera i kanë tërhequr lekët për tenderat e fituar, mbi bazën e firmave hedhur në procesverbalet prej supervizorëve e kolaudatorëve. Pra janë paguar abuzivisht. Shpërthimi, sipas inspektorëve të kanalizimeve dhe ing. Ziso Kolo, ka qenë i pritshëm për shkak të presionit të kolonës së ujërave të zeza, shtruar në tubacione dhe në puseta.