Sarandë, Bashkia pastron qytetin

Administrata e re e Bashkisë së Sarandës, ka nisur një aksion për pastrimin e qytetit. Urdhëri i dhënë nga kreu i ri i Bashkisë Stefan Çipa, ka nxjerrë në terren të gjithë punonjësit e administratës për në zonat kryesore të qytetit. Sipas kryebashkiakut Stefan Çipa, kjo iniciativë, do të pasohet nga të tjera të ngjashme me këto, ku pjesë do të jenë edhe komuniteti sarandiot duke treguar qytetari.
Fillimisht zyrtarët e Bashkisë kanë nisur nga qendra e qytetit dhe më pas kanë vazhduar në drejtim të kanalit të Çukës, së bashku me punonjësit e ndërmarrjes së pastrimit. Sipas Çipës, puna në terren është njësoj e vlerësuar si ajo e zyrës, duke rikthyer kështu një traditë të hershme në qytetin bregdetar jugor të Shqipërisë.
Në inspektimin që ka kryer gjatë ditës, kryebashkiaku Stefan Çipa, ka parë nga afër punën e kryer përgjatë rrugës turistike deri në Kanalin e Çukës. Ai është shprehur se aksione të kësaj natyre do të jenë të pranishme edhe gjatë periudhave të mëvonshme, duke dhënë një shembull mjaft qytetar, vetë punonjësit e Bashkisë. Ai ka ftuar në këtë iniciativë edhe komunitetin sarandiot që të bëhet pjesë e aksioneve të tilla.