E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, arrestohen të fundit e bandës “B13”

Në prangat e policisë përfunduan shtetasi Fatjon Abazi dhe Lisjen Kazo, 21-vjeç secili.

Ata kërkoheshin prej dhjetorit të vitit të shkuar nga policia, pasi akuzohen për përfshirje në dhjetëra grabitje dhe sulme me lëndë eksploziv.

Këta dy shtetas i kishin shpëtuar më parë aksioneve të policisë për goditjen e bandës së grabitësve, që akuzohen për të paktën 14 grabitje të ndryshme si dhe shkatërrim të automjete të dy zyrtarëve të lartë të policisë me anë të eksplozivit. Më 22 dhjetor, u arrestuan 6 shtetas, ndërsa shpëtuan të arrestuarit e mbrëmshëm.

Megjithëse, ata ishin shpallur në kërkim, gjatë kësaj periudhe e kishin vazhduar aktivitetin e tyre kriminal. Pas aksionit të mbrëmshëm, policia ka ushtruar kontroll në banesat e tyre dhe ka zbuluar një sërë materialesh të vjedhura si televizorë plazma, lap-top, pajisje kuzhine, të grabitura disa orë para arrestimit. Gjithashtu policia ka sekuestruar disa doreza, një kapuç që përdorej si maskë, një gërshërë prerëse hekuri, 6 telefona celularë si dhe disa çelësa.

Të arrestuarit i janë nënshtruar gjatë gjithë natës hetimeve, ndërkohë që ndaj tyre, përveç 14 akuzave për grabitje ata akuzohen edhe për "shkatërrim të pronës me eksploziv”. Veç grabitjeve, grupi kriminal "B 13", akuzohet se ka hedhur në erë me tritol makinën e ish-shefit të krimeve të Sarandës, Ilir Zhupa dhe makinën e ish-shefit të grupit të gatshëm të Sarandës, Aleksandër Lilo dhe shkatërrimin me eksploziv të një Pub-it në Sarandë./Start/

                                                                                             2012-01-19 09:21
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›