Sarandë, banorët protestë kundër dhëndrit të Berishës
Plani i Jamarbër Malltezit për ngritjen e një vendi për grumbullimin e plehrave në Bajkaj është kundërshtuar nga banorët
SARANDË- Fshati Bajkaj, tetë kilometra larg nga qyteti i Delvinës dhe 15 km nga Saranda, është përcaktuar si vend për grumbullimin e plehrave të rajonit të bregdetit. Projekti i menaxhuar nga dhëndri i kryeministrit, Jamarbër Malltezi, parashikon pikërisht në këtë vend pikën e mbledhjes së plehrave nga Saranda në Himarë. Kundrejt këtij veprimi, në një takim të kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore, u është premtuar banorëve të këtij fshati që në këmbim të tokës ku do të grumbullohen këto plehra që kap një sipërfaqe prej 10 hektarësh, do të ndërtohen dhe asfaltohen pesë km rrugë.
***
Pa kaluar shumë kohë, banorët kanë mësuar se një marrëveshje e tillë është lidhur pa marrë më parë mendimin e tyre. Si grup i interesit ata kanë reaguar menjëherë negativisht. Ata janë organizuar në një protestë dhe në qendër të fshatit janë grumbulluar me qindra banorë për të kundërshtuar ndërtimin e këtij impianti me arsyetimin e ndotjes dhe rëndimin e kushteve të jetesës në qendrën e banuar të Bajkajt. Kryeplaku i Bajkajt, Blerim Kullaj, ka thënë para banorëve të mbledhur pasditen e së enjtes në qendër të fshatit se do të jetë në krye të protestës, që ky impiant të mos ndërtohet. “Ndërtimi i vendit të grumbullimit të plehrave është parashikuar duke iu premtuar investitorëve se do të detyrohen banorët e Bajkajt që të pranojnë ofertën e propozuar dhe fshati ynë të bëhet koshi i plehrave të Ksamilit, Sarandës, Lukovës, Himarës, Delvinës dhe fshatrave të bregdetitNjë gjë të tillë në kurriz të banorëve dhe të fëmijëve tanë ne nuk mund ta pranojmë”,- tha ai.
***
Folësit e tjerë në tubim nënvizuan rezistencën që do të hasin investitorët në se do të këmbëngulin në një projekt të tillë. Edhe drejtori i shkollës, Hysen Duka, i moshuari Malo Muka si dhe të rinj e gra kundërshtojnë me forcë një veprim të tillë. “Nuk ka pse mblidhen në fshatin tonë plehrat e gjithë rajonit. Kësaj i thonë pastro bregdetin e ndot Bajkajt”,- tha i indinjuar shtetasi Qamil Gjoca. Pankartat e shkruara përcollën protestën dhe u artikuluan si kërkesa të tubimit. Në to shkruhej “Mos e ktheni Bajkajn në kosh plehrash”, “duam zhvillim, jo plehra”, “Jo plehra, o plehra” etj. Protesta e Bajkaj ishte paqësore dhe organizatorët me të kërkonin të sensibilizonin drejtuesit e projektit që drejtohen nga Jamarbër Malltezi që në mbledhjen e radhës të dëgjohet ky komunitet dhe të merret parasysh kundërshtimi i tyre. Banorët thanë se protesta do të përshkallëzohet në vartësi të kokëfortësisë të atyre që këmbëngulin në ndërtimin e impiantit në këtë vend, i cili është vetëm 500 metra larg fshatit. Në një protestë tjetër do të grumbullohen banorë nga gjithë komuna e Rrëzomës, thotë kryeplaku Blerim Kullai.