Katër bashki, nisin punën për planin e ri rregullues
Banka Botërore financon planet rregulluese për qytetet e Shkodrës, Durrësit, Kamzës dhe Vorës
Pas Tiranës, radhën për të formuluar Planin Rregullues do ta kenë 4 qytete të tjerë në vend. Banka Botërore, nëpërmjet gratit të dhënë nga qeveria japoneze dhe ajo suedeze, do të financojë Planet Rregulluese në bashkitë Shkodër, Durrës, Kamëz dhe Vorë. Kontratat midis palëve u nënshkruan ditën e djeshme në kryeqytet nga kryetarët e bashkive të sipërcituara, kompanisë italiane fituese të konkursit për projektimin e planeve dhe ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashi. Në fjalën e tij, ministri Olldashi deklaroi se projekte të ngjashme do të vijojnë edhe me qytete të tjera. Fondi i dhënë nga Banka Botërore për menaxhimin dhe administrimin e tokës, arrin shumën e 5 milionë eurove, nga të cilat 1 milion kanë shkuar për projektimin e planeve të 4 bashkive të para. Formulimi i Planeve Rregulluese të munguara, do t’u japë katër bashkive një tjetër pamje, duke i kthyer në qytete evropiane.