E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Plani rregullues, dialog me të gjithë qytetarët

 

Plani Rregullues i Tiranës, i hapur për të gjithë. Bashkia çel një pavion të posaçëm për thithjen e mendimit të qytetarëve

Projektplani përkrahet edhe nga arkitektë të njohur, të cilët e cilësojnë si më të mirin e mundshëm, që përmirëson jetën e kryeqytetit

Një kullë e re do t`i shtohet qendrës së qytetit të Tiranës. Kjo kullë do të ndërtohet pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe do të arrijë deri afër qendrës së kryeqytetit. Për shkak të lartësisë që do të ketë objekti, ajo është quajtur nga projektuesit e saj “Sytë e Tiranës”. Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, gjatë mbledhjes së KRRT-së, pasi u njoh dhe më hollësisht me projektin e saj, bëri me dije dhe interesin që ka bashkia për ndërtimin sa më të shpejtë të kullës. Gjatë mbledhjes së KRRT-së, ky ishte i vetmi moment që Rama debatoi me përpiluesit e projektit, ndërsa vlerësoi faktin se e rëndësishme nuk është vetëm nisja sa më parë e ndërtimit të kullës, por edhe pamja estetike e saj, e cila duhet të ndiqet nga firma fituese. Ai u shpreh se: “Ky duhet të jetë një objekt me një autorësi”. Për sa i përket përfundimit të kësaj kulle, ajo është konceptuar të ndërtohet në dy faza. Ndërkohë, kjo risi u bë e ditur ditën e djeshme në pavionin e prezantimit të Planit të Ri Rregullues të qytetit të Tiranës, në sheshin “Skënderbe”. Në këtë pavion u prezantuan të gjitha fazat, në të cilat do të kalojë Plani i Ri Rregullues i Tiranës. Plani që u prezantua, nuk është përfundimtar, pasi prezantimi i Planit Rregullues do të qëndrojë i hapur për të gjithë publikun kryeqytetas, i cili jo vetëm që do të ketë mundësi të njihet me të, por do të mund edhe të shprehë opinionet e tij, dhe të konsultohet me detaje për planin. Vetë procesi i hartimit të Planit Rregullues, u maturua pikërisht përmes mendimit, gjykimit dhe vizionit të vetë qytetarëve për të ardhmen e kryeqytetit, pas një procesi të gjatë konsultash, që bashkia e Tiranës ndërmori me ta. Pavioni u shfrytëzua njëkohësisht, edhe për zhvillimin e mbledhjes së radhës të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Tiranës, nga ku kryetari i bashkisë së Tiranës, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, shprehu konsideratën për institucionet e përfshira, në mënyrë të veçantë për studion “Urban –Plan”, hartuesen e këtij plani dhe grupet e interesit që janë përfshirë në vijimësi. Rama, ndër të tjera shtoi: “Besoj se sot është një ditë e shënuar për kryeqytetin,për të gjithë ne si qytetarë dhe qytetare, për institucionin tonë, por edhe për Këshillin e Rregullimit të Territorit. Ky plan është fryt i një bashkëpunimi intensiv i të gjithë aktorëve dhe faktorëve institucionalë, shoqërorë e qytetarë dhe do të jetë i ekspozuar për të gjithë kryeqytetasit, që të mund të shprehin opinionet e tyre, dhe të mund të konsultohen në detaje me planin”. Rama vazhdoi më tej duke e vlerësuar planin si një projekt dinamik, i cili u përshtatet zhvillimeve ambicioze të një metropoli evropian. Kryebashkiaku pranoi faktin se realizimi i këtij projekti madhor është punë e lodhshme dekadash, frytet e së cilës, qytetarët do t`i vjelin shumë shpejt. Ndërkohë, dhe arkitekti i njohur, Maks Velo, i cili njihet edhe si kundërshtar i ndërtimeve të vrullshme që kanë ndodhur në Tiranë dy dekadat e fundit, ka shprehur optimizmin e tij për ndryshimet që pritet të sjellë Plani i Ri Rregullues. Dialogu gjithëpërfshirës, i cili do të pasojë Planin e Ri Rregullues, do të vijojë më tej me studimin e transportit të integruar, me studimin ekonomiko-hapësinor, me rishikimin e strategjisë për mjedisin, sigurisht, këto të gjitha në përputhje me të gjithë treguesit e këtij plani. I gjithë ky dialog do të zhvillohet paralelisht me planet e vogla rregulluese si, plani vendor i gjelbërimit, plani vendor i administrimit të mbetjeve urbane, me master-planet lokale të zonave dhe dokumentet lokale të zhvillimit të këtyre zonave. Këto do të bëhen duke filluar nga zonat prioritare në fazën e parë, si dhe me projektet teknike të skemës së rrjetit rrugor, duke filluar nga ai i Unazës, për të cilin ka filluar puna. Plani i Parë Rregullues është projekti më i madh i realizuar gjatë kohës së pluralizmit, i hartuar në bazë të një procesi të decentralizuar dhe gjithëpërfshirës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›