Depozitat e amoniakut, rrezik për lagjen Kombinat
Një sasi e konsiderueshme amoniaku vazhdon të qëndrojë në ish-repartin e freskimit, të Kombiantit Tekstil të Beratit, ndonëse në të nuk punohet prej viteve 1990. Rreth 25 metra kub amoniak i depozituar në disa cisterna vazhdon të përbëjë rrezik për aktivitetin e një sërë ndërmarrjesh private, që kanë nisur të lulëzojnë në zonën e kombinatit të dikurshëm, por dhe banorët e lagjes në hyrje të qytetit të Beratit. Specialistë të pajisjeve nën presion, prej disa vitesh kanë ngritur zërin për rrezikun. Në godinën e shkatërruar vazhdojnë të jenë në vendin e mëparshëm 12 cisterna me amoniak dhe amortizimi i tyre rrit rrezikun e çlirimit në natyrë të gazit helmues. Shoqëria Tekstile SH.A, nga e cila varet dhe ish-reparti i freskimit, nuk ka mundur të bëjë tjetër veçse të vendos një roje pranë këtyre cisternave. Specialistët e kësaj fushe kanë parë disa herë nga afër këtë repart, i cili ndodhet shumë pranë aktiviteteve të tjera që veprojnë në këtë zonë dhe kanë dhënë alarmin për marrjen e masave për shkarkimin e kësaj mase amoniaku. Burime pranë Zyrës së Mbrojtes së Mjedisit në Berat bënë me dije se i është kërkuar Minsitrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrit të Ujrave, dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës, marrja e masave për këtë problem, pasi kësaj zyre jo vetëm që i mungojnë fondet e nevojshme për zgjidhjen e këtij problemi, por dhe specialsitët përkatës për të kryer degazimin e sasisë së amoniakut. Në lidhje ke këtë problem, kryetari i bashkisë Fadil Nasufi bënë me dije se shumë herë ka ngritur zërin pranë dikastereve përgjegjëse për heqjen e sasisë së amonikat, që përbën një rezik për qytetarët.