E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kam kontaktuar me Leskajn, presim përgjigje”

Autori i Lajmit: red.
Njëri nga deputetët grevistë është në rrezik për jetën e tij. Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dritan Prifti, nuk ka dashur të përmendë emra, por thotë se në momentin që ka takuar të gjithë grevistët ka vënë re ndikimet e para të dobësisë. “E kam parë që gjithë shokët nuk janë mirë. Kanë filluar të kenë probleme shumë shqetësuese shëndetësore. Ata nuk e kuptojnë, por mjekët na kanë thënë se të paktën njërit nga shokët i rrezikohet jeta, nëse nuk del nga greva”, - tha nënkryetari i LSI-së, Prifti. Megjithatë, LSI duket se ka shpresë për një negociatë të momentit të fundit me Partinë Socialiste. “Kemi kontaktuar me kryetaren e Grupit Parlamentar të PS-së. Ajo na tha se do të konsultohet me partinë e saj dhe do të na japë përgjigje, por nuk kemi absolutisht asnjë përgjigje”, - tha Prifti. Lidhur me miratimin e Kodit Zgjedhor nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, numri dy i LSI-së tha se deputetët kanë vendosur të vazhdojnë grevën, pavarësisht përpjekjeve të PD-PS, për ta çuar edhe ato deri në fund skenarin e tyre. “Sigurisht që ne nuk do ta njohim kurrë atë Kod Zgjedhor, i cili i dekurajon shqiptarët që të shkojnë në votime, sepse ka qëllim që ta vendosë rezultatin e votimeve në tavolinë, midis Ramës dhe Berishës. Nuk do ta njohim kurrë atë dhe nuk do të njohim kurrë asnjë lloj zgjedhjeje që del si rezultat i këtij Kodi Zgjedhor dhe i kësaj marrëveshjeje tepër të pistë, për të cilën, shumica e shqiptarëve është shumë e revoltuar”, - tha ai. Nga ana tjetër, deputeteti socialist Arben Malaj shpreh keqardhjen nga ana njerëzore për grevistët, por mbetet i shqetësuar për seancën parlamentare të radhës kur mund të shmanget vëmendja nga diskutimet për buxhetin e 2009. “Nga pikëpamja etike dhe njerëzore është një moment që kërkon një vlerësim sa më të drejtë dhe sidomos në kushtet kur aktiviteti parlamentar ka dy ligje të rëndësishme në javët e ardhshme: do të diskutohet buxheti i shtetit dhe njëkohësisht do të miratohet Kodi Elektoral. Nëse është kjo situatë e mbingarkuar, duket se vëmendja mbi këto ligje do të cenohet”, -tha Malaj.
Ky lajm është publikuar: 15/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›