E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurodeputetët vizitojnë grevistët pas përplasjes me gardën

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Unë u surprizova që hyrja e Parlamentit ishte bllokuar për një parlamentar evropian, në një kohë kur në çdo vend të Evropës ajo është e hapur, jo vetëm për parlamentarët, por edhe për mediat apo personalitetet e ndryshme. Kjo është e pajustifikueshme, në një vend demokratik”

Greva e urisë ka tërhequr vëmendjen e Brukselit. Një grup deputetësh euroatlantikë erdhën në shenjë mbështetjeje dhe solidarizimi ndaj deputetëve grevistë. Por ndërsa donin të futeshin në Parlament, ata u penguan nga Garda e Republikës. Këtë gjë e tentuan disa herë, por u penguan me pretekstin se duhet marrë leje nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Deputeti liberal belg, Denis Dukarme, dhe Presidenti i Qendrës Strategjike Evropiane për Inteligjencën dhe Sigurinë në Belgjikë, Klod Minike, theksuan se kjo është diçka e pabesueshme nga ana e tyre dhe se është krejtësisht kundër demokracisë, duke theksuar dhe faktin se Shqipëria po synon të futet në Bashkimin Evropian. “Diçka e tillë nuk do të ndodhte kurrë në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian. Nuk do të ndodhte as në Belgjikë. Ne negociojmë për të shmangur situata të tilla. Jam këtu sot për të takuar deputetët grevistë. Kjo situatë është një test për demokracinë shqiptare”, - tha Dukarme. Por pas këmbënguljes, europarlamentarët kanë mundur të vizitojnë grevistët, të cilëve u kanë shprehur solidaritetin e tyre. Dukarme ka pohuar, madje, se do të infomojë qeverinë belge për këtë situatë. Dy ditë më parë ka qenë ish-presidenti Alfred Moisiu që është përpjekur të takohet me deputetët grevistë, por nuk është lejuar nga Garda e Republikës. Ish-presidenti Moisiu kishte shkuar tek Parlamenti për të parë nga afër gjendjen e tyre shëndetësore, por Barda nuk e ka lejuar atë të futet brenda. Arsyet që i ka dhënë Garda e Shqipërisë ka qenë se nuk kishte leje të hynte brenda që të takonte grevistët. Moisiu nuk ka bërë rezistencë dhe është detyruar të kthehet sërish mbrapa pa mundur të takojë 10 deputetët që ndodhen të mbyllur prej pesë ditësh në ambientet e Parlamentit, si formë proteste për të arritur votën e lirë.
Eurodeputetët
“Në Evropë media ka folur shumë për këtë ngjarje që ka ndodhur në Shqipëri, në lidhje me grevën e urisë së parlamentarëve, prandaj dhe unë kam bërë këtë udhëtim të gjatë për të takuar kolegët e mi parlamentarë, për të diskutuar rreth këtij problemi të komplikuar tashmë. Nuk është thelbi i problemit që unë të përfshihem në çështje të brendshme të Shqipërisë. Është thjesht një interesim i ligjshëm i një parlamentari evropian, që ka ardhur sot në Tiranë, për të diskutuar këtë çështje me ta dhe për të kontribuar në zgjidhjen e situatës. E gjeta si detyrim moral që të vij dhe të pyes, pse parlamentarët shqiptarë kanë hyrë në grevë. Greva e urisë e parlamentarëve shqiptarë është diçka e pazakontë dhe krijon vërtet shqetësim tek ne”, - tha Dukarme. Sipas tij, është pothuajse e pamundur që një situatë e tillë të krijohet në vendet evropiane. Dukarme tha se, nëse do të përballeshin me një precedent të tillë, çështja do të ishte zgjidhur nga konsensusi i përbashkët mes palëve, nga negociatat mes partive politike, por shtoi ai, fatkeqësisht, duket se ky nuk është rasti për Shqipërinë. “Nuk kam ndonjë këshillë konkrete për Shqipërinë dhe kolegët shqiptarë. Por gjithsesi, ky është një test për demokracinë në Shqipëri”, - tha ai. Presidenti i Qendrës Strategjike Evropiane për Inteligjencën dhe Sigurinë në Belgjikë shtoi se nuk kishte ardhur me ndonjë mesazh të caktuar nga Brukseli, sepse nuk mbështeste as njërën dhe as tjetrën palë, por kishte ardhur thjesht të informohej. “Unë jam liberal, i qendrës së djathtë. Parlamentarët që janë në grevë urie janë të një spektri të gjerë, LSI, PDK dhe partive të tjera. Jo gjithsecili ka të njëjtën ndjeshmëri politike. Jam këtu për të kuptuar dhe mbrojtur demokracinë. Evropa është e interesuar të dijë se çfarë po ndodh në Shqipëri, sepse një ditë ose një tjetër, Shqipëria do të futet në Bashkimin Evropian. Është e rëndësishme për ne që të kuptojmë çdo gjë që po ndodh në Shqipëri dhe në ç fazë është tranzicioni drejt BE apo drejt Evropës”, - tha ai. Lidhur me pamundësinë për të hyrë te grevistët, Dukarme tha se ka mbetur i befasuar. “Unë u surprizova që hyrja e Parlamentit ishte bllokuar për një parlamentar evropian, në një kohë kur në çdo vend të Evropës ajo është e hapur, jo vetëm për parlamentarët, por edhe për mediat apo personalitetet e ndryshme. Kjo është e pajustifikueshme, në një vend demokratik”, - përfundoi ai. Indinjata e tyre duket se ka zgjidhur situatën dhe vetëm pas disa orësh ata mundën të hynin në Kuvendin e Shqipërisë, ku 10 ligjvënësit shqiptarë po zhvillojnë grevën.

Reagimi
Te grevistët me leje nga Topalli

Greva mund të vizitohet nga çdo deputet apo personalitet tjetër publik, pasi ai të ketë njoftuar Kuvendin. Ky njoftim zyrtar është bërë dje nga Parlamenti shqiptar pas renditjes së një sërë precedentësh kur deputetë apo personalitete të ndryshme të jetës politike shqiptare dhe ndërkombëtare nuk kanë mundur të hyjnë në ambientet e grevës. Dy ditët e para nuk ka mundur të hyjë askush të ambientet e Kuvendit ku po zhvillohet greva e dhjetë deputetëve. Madje, për një periudhë kohe atyre u është ndaluar edhe komunikimi me telefon, ndërkohë që ambientet e sallës janë kyçur me dryn. Në këto dy ditë u krijuan probleme, madje, dhe për ndihmën mjekësore, edhe pse kjo kishte qenë e nevojshme për disa deputetë. Në ditën e tretë dhe në vazhdim kanë mundur të hyjnë brenda sallës mjekët, por dhe media e deputetët, të cilët morën pjesë në seancën e së enjtes që u zhvillua në prezencë të grevistëve.
Ky lajm është publikuar: 15/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›