Marrëveshja e Ohrit lidhet me të ardhmen e Maqedonisë
Nazim Rashidi BBC Shkup
Në Maqedoni, policia do të japë më shumë hollësi për aksionin e saj gjatë të cilit u gjetën një sasi e konsiderueshme armësh në fshatin Bllacë, në kufi me Kosovën
Policia tha se gjatë këtij aksioni pati dhe të shtëna armësh me siç thuhet, grupin që ruante armët.
Ngjarja ndodh në kohën kur komuniteti ndërkombëtar ngriti alarm për situatën e sigurisë në Maqedoni.
Siç bëri të ditur në informacionet paraprake policia, ajo kishte zbuluar disa bunkerë me armatime dhe flet për një grup prej më shumë se 10 vetash, që siç thotë, ruanin armatimet.
Policia tha se është në kërkim të pjesëtarëve të këtij grupi, por një pjesë e të cilëve dyshohet se mund të kenë kaluar në anën e Kosovës.
Aksioni i policisë ka zgjatur thuajse gjithë ditën dhe ndër sasinë e zbuluar të armëve, siç tha policia, kishte mina antitank, granata, raketa, mitraloz, armatime të rënda dhe lloje të ndryshme eksplozivi.
Polica ka thënë se do të bëjë të ditur detaje të tjera të këtij aksioni, por ngjarja ndodh në kohën kur përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar ngritën alarmin për situatën e sigurisë.
Prej disa ditësh, me komunikata të përbashkëta apo dhe deklarime direkte, ambasadorët e BE-së, NATO-s, OSBE-së dhe SHBA-së flasin se Maqedonia duhet të fokusohet qartë në rrugën e integrimeve, por edhe në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Philip Reeker është ambasadori i SHBA-së në Maqedoni“Duam ta bëjmë të qartë se cili është qëndrimi ynë, se Marrëveshja e Ohrit dhe puna e vazhdueshme për qëllimet afatgjata drejt integrimit në strukturat euroatlantike duhet të jetë e ardhmja e Maqedonisë, për çka ne japim angazhimin tonë konstruktiv që të përballohen sfidat”, tha ambasadori Reeker.
Diplomatë të tjerë, ndërkohë, flasin edhe për mungesë të dialogut ndëretnik.
Ndërkohë, një sondazh bëri të ditur se një shumicë dërrmuese e shqiptarëve nuk i mbështesnin politikat e Kryeministrit Nikolla Gruevski.
Incidenti i armatosur ndodh në kohën e pakënaqësisë në rritje, sidomos të shqiptarëve ndaj qeverisë, thonë vëzhguesit.
Këto çështje ishin temë diskutimi edhe në Parlament në seancën për pyetje me deputetët drejtuar Kryeministrit.
Por ai tha se ishte i përkushtuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe se kritikat ndërkombëtare ishin drejtuar drejt opozitës, duke lënë të kuptohet se fliste për PDSH-në, drejtues të së cilës kanë thënë se do të heqin dorë nga marrëveshja që përfundoi konfliktin e vitit 2001.
Pavarësisht zhvillimeve të fundit, incidenti në kufirin me Kosovën, ku u gjetën sasi të konsiderueshme armësh apo dhe situata e tensionuar politike, qeveria thotë se situata e sigurisë është nën kontroll.
Punëtorët e Kosovës shprehin pakënaqësinëMe një protestë paqësore të zhvilluar me iniciativë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, dhjetëra ish-punonjës të ndërmarrjeve shoqërore dhe pensionistë kanë shprehur pakënaqësinë me gjendjen e të drejtave të punëtorëve në vend. “Bashkimi i Sindikatave kërkon dialog të mirëfilltë social dhe respekt të parterëve socialë, përfaqësim mbi bazat e legjitimitetit dhe avancim të çështjeve që kanë të bëjnë me interesimin e punonjësve në Kosovë”, tha kreu i BSPK-së, Haxhi Arifi. Kërkesat e protestuesve janë nxjerrja e infrastrukturës ligjore të punës, dialogu i mirëfilltë social, krijimi i fondit social, shëndetësor e pensional-invalidor, ndalja e privatizimit, e punës së zezë dhe korrupsionit, si dhe hapja e vendeve të reja të punës për të rinjtë.
#