E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, konsumuan alkool gjithë natën, lëndohen adoleshentët

SARANDË -Konsumi i tepërt i alkoolit dhe prirja për organizimin e ekskursioneve të maturantëve jashtë çdo kontrolli i ka dhënë pasojat e para të rënda në Sarandë. Një 17-vjeçar, maturant nga Lushnja është rrëzuar nga kati i katërt i hotelit dhe ka përfunduar në tokë me dëmtime të konsiderueshme ndërsa është plagosur një tjetër maturant i cili është goditur me mjete të forta nga disa persona të paidentifikuar.
17-vjeçari
Burime nga urgjenca e spitalit të Sarandës bëjnë me dije se rreth orës 05:30 të mëngjesit të djeshëm, 17-vjeçari Françesko Nino është paraqitur me trauma të rënda. Pas kthimit nga diskoteka dhe konsumimit pa kriter të pijeve alkoolike, ai ka dalë në ballkon dhe në tentativë për të kaluar nga ballkoni i tij në ballkonin e dhomës fqinjë ku ishin duke fjetur disa nxënëse është rrëzuar nga një lartësi prej 10 metrash. Dëshmitarë okularë pohuan se dëmtimi i maturantit Nino do të kishte qenë edhe më i madh e i rrezikshëm, po të mos kishte rënë mbi një pemë në territorin përpara hotelit.
18-vjeçari
Burime nga forcat policore raportojnë se, në të njëjtin hotel rreth orës 14:00 të së shtunës pas zgjimit nga nata e ngarkuar me alkool dhe drogëra të tjera të lehta, ende nën efektin e këtyre të fundit, 18-vjeçari Egli Roçi ka goditur me forcë derën e ballkonit të dhomës së hotelit. Xhami i ndodhur në të është thyer duke i prerë disa tendina adoleshentit.
Reagimi
Dy të rinjtë u dërguan nga Saranda në Spitalin Ushtarak të Tiranës, i pari në gjendje të rëndë për jetën ndërsa i dyti rëndë nga këmba e lënduar. Pas marrjes së njoftimit të të dy incidenteve në rrugë operative, drejtues të Policisë së Qarkut Vlorë kanë filluar procedimin mbi “Mosnjoftimin sipas ligjit të organeve policore nga Urgjenca e Sarandës”. Nga ana tjetër, pritet që forcat blu të nisin një aksion në qytetet bregdetare për respektimin e ligjit mbi pijet alkoolike për moshat nën 18 vjeç.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›