Sarandë, mblidhen rektorët e universiteteve
Rektorë dhe drejtues të universiteteve publike dhe jopublike nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, janë mbledhur në samitin e dytë në filialin universitar të Sarandës. “E organizojmë jo rastësisht në Sarandë. Këtë e ka diktuar fakti që Saranda, ka qenë ftuese me modelin e qëndrimit që mban ndaj arsimit”, u shpreh rektori i UT Dhori Kule. Problemi i përkthimit të teksteve të mira ka qenë tema kryesore e debatit të zhvilluar në samit. Atje u diskutua gjerësisht edhe për të pasur standarde cilësore, për bashkëpunimin dhe përgatitjes së stafeve. Me inicimin e universiteti UFO, universitetet shqiptare, publike dhe jopublike, më 7 mars 2009 do të organizohet një konferencë të rrjetit, kushtuar sfidave që ka arsimi i lartë. Janë vlerësuar dhe përmirësimet e kornizës administrative për universitetet në Shqipëri, ndërkohë që në Kosovë është vlerësuar fakti i miratimit të ligjit për autonominë universitare. Në samitin e Sarandës u theksua se vitin e ardhshëm pritet, që të funksionojë edhe logjika e granteve, sikurse është në perëndim. Për anëtarësimin në rrjetin e universiteteve shqipfolës në rajon, u pohua se po bëhen të gjitha procedurat statusore, në mënyrë që ata që kanë dëshirë, të aderojnë në të. sh.d