E Shtunë, 31 Tetor 2026

I shoqi i pacientes, dy thika mjekut

 

Dashamir Biçaku

Mjeku i njohur Agron Ylli, i plagosur mesditën e djeshme nga Bujar Valisi, kaloi rrezikun për jetën dje në mbrëmje pas një operacioni që ka zgjatur rreth tri orë në Spitalin Ushtarak. Kolegë dhe miq të afërt të mjekut Agron Ylli, thanë se specialisti endokrinolog ka marrë një plagë në bark, duke dëmtuar një venë të rëndësishme që furnizon disa arterie që shkojnë në zorrë. Autori i krimit, Bujar Valisi, 35 vjeç, nga fshati Kashar i Tiranës, është kapur sapo ka dalë nga godina ku ndodhet klinika e mjekut të plagosur. Vetëm pak minuta pas krimit, një patrullë e Komisariatit nr.3 ka ndaluar autorin e krimit. Ky i fundit, sipas policisë, ka qenë duke zbritur nga kati i dytë i godinës së pallatit të Shallvareve, ku ndodhet klinika dhe laboratori i mjekut endokrinolog dhe diabetolog. Mjeku mësohet se ka debatuar me klientin për shkakun se përse bashkëshortja e tij nuk po arrinte të përfitonte pagesën e invaliditetit, pasi vuante nga diabeti. Autori i plagosjes së mjekut, sipas policisë, konsideronte shkaktar për këtë specialistin Agron Ylli, edhe pse komisioni përkatës e kishte vlerësuar si të panevojshme pagesën për të sëmurën. Të afërm të mjekut të plagosur pohuan dje se, Bujar Valisi kishte debatuar edhe më parë me një koleg të mjekut të plagosur.
Paralajmërimi
Tri ditë më parë, Bujar Valisi kishte shkuar në klinikë dhe kishte debatuar me një koleg të mjekut Ylli për “kempin” e të shoqes. Pas krimit, 35-vjeçari nga Kashari ka braktisur klinikën i nervozuar, ndërsa policia tha se krimi është kryer me paramendim, pasi thika që ka përdorur autori ishte marrë në shtëpi, prej nga 35-vjeçari ishte nisur për në klinikën e mjekut që ndodhet në zonën e “Shallvareve”. Inspektori i rendit dhe efektivët e patrullës kanë vënë re që një person po dilte nga hyrja e pallatit i gjakosur dhe po ikte me vrap. Një fakt i tillë u ka bërë përshtypje atyre dhe menjëherë e kanë ndaluar të dyshuarin, të cilit i është bllokuar thika që mbante me vete. Në pak kohë është mësuar se njeriu me thikë në xhep kishte goditur mjekun Agron Ylli, që kishte klinikën dhe laboratorin në katin e dytë të pallatit ku ndodhi ngjarja. Disa persona e kanë nisur mjekun e plagosur me urgjencë në drejtim të Spitalit Ushtarak. Ai kishte humbur sasi të mëdha gjaku si pasojë e plagosjes me thikë në bark dhe në dorë. Mjeku Agron Ylli është futur në operacion në gjendje të rëndë. Sipas kolegëve që zhvilluan operacionin, mjeku Agron Ylli kishte humbur shumë gjak, për shkak të prerjes së arteries kryesore që furnizon organet e brendshme me gjak. Pas operacionit mjeku është ndihmuar me gjak, duke zëvendësuar sasinë e humbur nga plagosja me thikë.
Hetimi i krimit
Policia nuk ka vonuar shumë të zbulojë autorësinë e krimit, por më tepër pengesë ka qenë zbulimi i shkakut të plagosjes së mjekut. Bujar Valisi, 35 vjeç, ka pranuar se kishte plagosur mjekun Agron Ylli. Më tej i arrestuari ka pohuar se prej kohësh vizitonte të shoqen te mjeku që plagosi, për shkak se ajo vuante nga diabeti. Për këtë shkak ai ka kërkuar nga mjeku që veç kurimit, ajo të përfitonte edhe një pagesë për invaliditet. Edhe pse ai kishte plotësuar disa herë kërkesën që e shoqja të përfitonte këtë lloj ndihme financiare, komisioni nuk e kishte miratuar. “Nuk më jepte raportin që gruaja ime e sëmurë të merrte kempin”, mësohet të ketë pohuar para hetuesve i arrestuari. Policia mësoi se gruaja e të arrestuarit ishte mjekuar në mënyrë të vazhdueshme te mjeku Agron Ylli, i cili ishte specialist endokrinolog dhe diabetolog në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Policia sekuestroi në cilësinë e provave të gjithë kartelën e bashkëshortes së të arrestuarit, vizitat dhe dokumentet për veprimet e kryera prej tij.

Agresori tentoi të largohet,u zbulua nga gjaku në rroba

Menjëherë pasi ka plagosur mjekun, 35-vjeçari Bujar Valisi nga Kashari ka menduar të largohej me shpejtësi nga pellgu me gjak që vetë kishte shkaktuar. Pasi ka lënë mjekun të shtrirë duke kërkuar ndihmë, autori i ngjarjes ka dalë nga klinika dhe siç duket ka menduar të largohet me shpejtësi nga vendi i krimit. Ai ka tentuar të bashkohet me turmën e njerëzve në lokalet që ndodhen në rrugën ku ndodhi ngjarja. Aty është gjendur një inspektor i policisë së rendit dhe një patrullë me dy policë e Komisariatit nr.3. Për shkak të mbipopullimit të zonës, aty vazhdimisht qëndrojnë të pranishme shërbime të policisë. Këta të fundit kanë vënë re njeriun që kishte rrobat me gjak dhe menjëherë kanë dyshuar se diçka kishte ndodhur. Nuk ka shkuar shumë dhe policët kanë mbërthyer njeriun e gjakosur, ndërsa i kanë gjetur në xhep edhe sendin e mprehtë me të cilin ishte kryer krimi. Valisi është arrestuar me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje për shkak të detyrës së mjekut Agron Ylli.

Ministrja Godo, vizitë në spital

TIRANE – Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, është vënë dje në dijeni për ngjarjen e ndodhur me mjekun Agron Ylli. Menjëherë sapo ka mësuar për ngjarjen dhe gjendjen në të cilën ndodhej 50-vjeçari, drejtuesja e Ministrisë së Shëndetësisë është nisur në drejtim të spitalit ku po trajtohej mjeku. Ajo ka zhvilluar një vizitë disa minutëshe aty duke ndjekur nga afër gjendjen e mjekut të plagosur, si dhe duke u kërkuar kolegëve të tij të bënin përpjekje për normalizimin e gjendjes. Ndërkaq gjatë kontakteve me median mjekët janë shprehur dje të indinjuar për rastin e dhunës së ushtruar ndaj kolegut të tyre. Sipas mjekëve, rastet e dhunës së rrezikshme ndaj bluzave të bardha po shtohen gjithnjë e më shumë, ndërsa mekanizmat e parandalimit të këtyre krimeve nuk po funksionojnë. Mjekët bënë apel që të merren masat e nevojshme, në mënyrë që atyre t’u garantohet siguria e jetës gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre. Edhe më parë, pas dhunës së ushtruar në Qendrën Spitalore Universitare, ku kanë ndodhur të paktën tre raste të tilla, bluzat e bardha janë sensibilizuar madje kanë protestuar duke ndërprerë edhe shërbimin në shenjë revolte e kundërshtimi me ushtrimin e dhunës fizike ndaj tyre.       t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›